Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka bërë të ditur se FBI do të japë asistencë në Shqipëri në ndihmë të SPAK për arrestimin e politikanëve të korruptuar dhe për zbardhjen e pasurive të fshehura të tyre.
Ish numri një i SHISH deklaron se shumë politikanë kanë filluar të dridhen nga ky fakt. Sa i takon parave të pushtetarëve të korruptuar, të cilët i kanë fshehur jashtë, Klosi deklaroi se misioni i SPAK dhe agjencive të tjera ligjzbatuese për t’i gjurmuar dhe konfiskuar ato nuk është një mision i pa mundur.
“Unë them që FBI dhe ekspertët ndërkombëtarë do të ndihmojnë goxha. Unë mendoj që SPAK-u të bëjë punën e vetë. Pastaj do të vijë puna tek arrestime “Vip”. Unë uroj që SPAK të bëj punën dhe të bien në rrjetën e tij të gjithë ata që e meritojnë. Pra, janë peshq të mëdhenj apo jo, nuk ka rëndësi.
Ata njerëz ose më saktë ata zyrtarë që kanë fshehur pasuritë nuk janë njerëz të thjeshtë, në kuptimin që për sa kohë kanë arritur në nivele të larat në politikë, administratën shtetërore, apo instancë tjetër të shtetit. Ata që kanë vënë dorën në pasurinë e shtetit ose që janë të korruptuar duke marrë dhe dhënë ryshfete nga biznesmenë të pandershëm, nga kriminelë, etj. Ata përpara e kanë menduar se si do t’i fshehin pasuritë e tyre. Kështu që, procesi është një proces i vështirë. Por megjithatë nuk është i pamundur. Implikimi i partnerëve tanë shumë të rëndësishëm sikundër janë amerikanët dhe evropianët, e lehtëson këtë problem dhe bëhet më e lehtë identifikimi i pasurive të të korruptuarve. Kjo edhe nisur nga fakti që ka kohë që në sistemin bankar kanë ndryshuar shumë rregulla dhe shumë ligje sa i takon llogarive të pa prekshme. Kështu që, unë besoj se nuk ka asnjë të pamundur në këtë pikë” , është shprehur Klosi në një intervistë për gazetën Sot.
Ai gjithashtu bën të ditur se në vend ka shumë politikanë që janë të shqetësuar dhe nuk e duan reformën në drejtësi.
“Unë besoj se ka shumë politikanë të shqetësuar nga reforma në drejtësi. Kjo reformë natyrisht e rëndësishme ishte për vetë sistemin e drejtësisë. Sa i takon pyetjes së a po punojnë në prapavijë kundër reformës në drejtësi, nuk besoj. Të paktën këtë bindje kam krijuar unë se në këtë fazë problemi ka dalë nga duart e politikës. Politika e ka bërë punën e vetë, politika i aprovoi dhe votoi të gjitha ligjet e nevojshme për të realizuar reformën në drejtësi. Kështu që, politikanë s’kanë më në dorë që të influencojnë mbi reformën”, është shprehur Klosi.
Kujtojmë se vetëm pak ditë më herët Këshilli i lartë i Prokurorisë përzgjodhi listën me 15 kandidatët për anëtarë të SPAK dhe pritet që kjo strukturë të jetë funksionale në shtator. Pra në vjeshtë pritet të kemi arrestime zyrtarësh të lartë, kusht ky që duhet plotësuar për çeljen e negociatave me BE-në.