Kodheli: Fatin tim e vendos unë, jo numri im në listë

Më të fundit


Mimi Kodheli jeton në dy gjendje këto ditë. Siç ndjehen të gjithë ata politikanë të vjetër që i kanë vënë pozicione jokomode në garë, por që kanë ambicjen t’u tregojnë vetes dhe të tjerëve se mund ta sfidojnë fatin. Në këtë intervistë për Javanews Kodheli shprehet se rregullat e zgjedhjeve duheshin shpjeguar më herët, porse pozicioni në listë e nxit më shumë sesa e shqetëson.

JW: Zonja Kodheli, si ndjeheni në këtë fushatë zgjedhjesh, ku siç dihet jeni kandidatura numër 21 në qarkun e Tiranës. Çfarë tregon fushata e deritanishme në fuksion të arritjes së numrit të votave për të thyer renditjen fillestare në garë?


Më së pari ndihem e privilegjuar që vazhdoj, edhe pas kaq vitesh, të jem një person i përzgjedhur për të përfaqësuar Partinë Socialiste në listën e kandidatëve për deputet. Këtë rradhë edhe më e kënaqur pasi garoj në qytetin ku jam lindur e rritur, Tiranën. Herën e fundit që kam garuar në kryeqytet ishte viti 2005, ndaj kjo gjë më ka munguar.

Numri 21 në renditje nuk do të thotë asgjë siç do të thotë edhe shumë në të njëjtën kohë.

Po mundohem të jem shterruese në shpjegim- nuk më thotë asgjë, pasi bazuar në kodin e ri zgjedhor, kush është në gjendje të thyejë pragun ose herësin do mund të kapërcejë gjithkënd, që merr më pak vota dhe kjo është krejt e mundur, të paktën në rastin tim kam besim që do të jetë.

Ndërkaq, numri 21 do të thotë shumë, pasi edhe pse në një pozicion “jo të favorshëm” mendoj që vlerësimi i njerëzve nuk do të burojë nga fakti kush e ka shkruar më bukur në bluzë numrin që ka në renditje, por kush ka ka më shumë valenca përfaqësimi dhe vlera.

Deri tani fushata tregon që njerzit dijnë ta bëjnë dallimin dhe uroj e shpresoj që të jetë kështu deri në fund.

JW: Si e komentoni logjikën e vendosjes së kandidaturave më të forta në atë që është quajtur “vija e zjarrit”? A po prodhon atë që pritej, pra më shumë vota dhe më shumë vëmendje të elektoratit të majtë?

MK: Po e nis përgjigjen nga pyetja e dytë. Mendoj që në përgjithësi elektorati, qoftë ai i majtë, i djathë, apo pa parti duhej sqaruar shumë kohë më parë lidhur me ndryshimet e kodit zgjedhor, e për pasojë të mënyrës së votimit. Vetë fleta e votimit ka dalë shumë vonë. Rrjedhimisht edhe më të vëmendëshmit e politikës kanë vështirësi në kuptimin e kodit dhe mënyrën e votimit.

Le ta shpjegojmë më thjeshtë: Shumë qytetarë nuk e dinë që megjithëse gjithsekush nga ne ka nga një njësi administrative nën menaxhim elektoral, votat si deputetë të qarkut mund dhe duhet t’i kërkojmë në të gjithë qarkun. Pra unë, si kandidate për deputet e Qarkut të Tiranës, kam të drejtë t’i drejtohem elektoratit që banon nga Rreth Grethi i Kavajës deri në Shëngjergj në kufi me Dibrën, duke përfshirë pa dyshim vetë qytetin e Tiranës.

Ne fakt mendoj që ka nje hallkatje që nuk vjen për faj të elektoratit, por për faktin se kandidatët po mundohen të japin më të mirën dhe të tregojnë që kanë mbështetje në bazë. Gjithsesi unë kam pritshmëri të lartë pasi besoj në inteligjencën dhe instiktin e fortë politik të njerëzve ndaj dhe shpresoj që kjo të prodhojë më shumë vota.

Nga ana tjetër, vendosja e kandidaturave të forta në zgrip të listave tregon për guximin dhe vendosmërinë e forcës tonë politike për të kërkuar e marrë një mandat të tretë.

Pse një mandat i tretë për Partinë Socialiste, kur mandati i dytë ka qenë plot sfida objektive si tërmeti e pandemia, por edhe lodhje e konsum për ju si maxhorancë?

MK: Një forcë politike nuk pyetet pse kërkon të qeverisë edhe kur bëhet fjalë për një mandat të tretë. Pastaj, pikërisht pse mandati i dytë ka pasur sfida të kësaj natyre si ato që permendët, sic kanë qenë të një natyre tjetër sfidat e mandatit të parë, por që gjithsesi sfida kanë qenë, na lind e drejta morale për të marrë vlerësime positive që përkthehen në votë “pro”.

Sa për lodhjen, mendoj që kjo fjalë nuk bën pjesë në fjalorin e partisë tonë.
Jeni një politikane me “moshë” të mesme në rradhët e PS. Pra një figurë e ardhur pas brezit të vjetër që daton nga themelimi i partisë, por që sot po sheh sesi brenda PS po nis të avancojë edhe një brez mëi ri. Si e keni parë problemin e stafetës së brezave në parti?

MK: E gjykoj shpesh herë veten, por më rezulton që kam qenë shumë dashamirëse dhe mbështetëse e brezit të ri. Dhe besomëni, këtu flas jo vetëm për partinë time, por edhe për figura të reja të partive të tjera opozitare në parlament. Kjo pasi nëse beson tek e reja, beson pa ngjyrë.

Vetëm se meritokracia nuk duhet të jetë dicka që duhet lënë mënjanë e aq më pak në harresë.

Si e shihni panelin e kundërshtarëve politikë që keni përballë? A e prisnit këtë lloj armiqësie tuajën si PS me LSI, apo edhe ngritjen elektorale të muajve të fundit për PD?

MK: Mesa unë kuptoj e merrem me politikë, është thuajse “normale” që kundërshtari politik në opozitë të të afrohet në muajt apo javët e fundit para datës së zhvillimit të zgjedhjeve. Shqetësimi i opozitës duhet të jetë fakti që megjithëse ne jemi në kërkim të mandatit të tretë, akoma nuk afrohen mjaftueshëm për të përmbysur rezultatin dhe kjo e bën dëshpëruese situatën për ta.

Sa për panelin do kisha preferuar një Parti Demokratike që të dilte me lista të vetat, ashtu si dhe ne dhe jo të mbushte rradhët me kryetarë partish pa parti e njerëz nga mbrapa.

Ky mbetet një problem i tyre gjithsesi.

Çfarë duhet të bëjë më mirë në një mandat të ardhshëm Partia Socialiste? Ku i shihni aspektet që duhen korrektuar dhe a ka një recetë për kurimin e konsumit që kanë sjellë tetë vite qeverisje?

MK: Ka shumë gjëra që duhen bërë më mirë, po aq sa ka akoma më shumë që janë bërë mirë, madje shumë mirë. Mendoj që ne duhet të fokusohemi më shumë në fuqizimin e mëtejshëm te disa sektorëve më rentabël për ekonominë tonë, sic janë turizmi, bujqësia, teknologjia dixhitale. Ne mund të kthehemi në një “Albanian Valley” sepse kemi moshë të re pune, dëshirë për të mësuar e përdorur teknologjinë dixhitale dhe krahë pune të lirë. Ashtu sic do na duhet të forcojmë shkollimin dhe të rrisim nivelin e dijes e për pasojë të pagesës.

Nga ana tjetër mendoj se kemi akoma punë me thellimin e reformave, sidomos asaj të drejtësisë.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme sipas meje, është nje rritje e frymës së bashkëpunimit dhe largimi, për aq sa është në mundur në politikë, prej dasive të mëdha e retorikës së pakuptimtë. Do t’i bënte shumë mirë shoqërisë.

Si një zyrtare e lartë me përvojë në qeverisjen lokale, si e komentoni debatin që i bëhet nismës së kryeministrit Rama për rilindjen urbane? Pse një rilindje e qyteteve e fshatrave, më parë se një projekt zhvillimor i ekonomisë fjala vjen?

MK: Rilindja urbane ka qenë një ndër gjetjet më të mëdha të politikës së PS në qeverisje.

Më së pari do ta konsideroja një projekt zhvillimor të ekonomisë, pasi i ktheu qytetet në qendra të lëvizjes, turizmit, bizneseve të reja. Rriti vlerën e pasurive të paluajtshme të qytetarëve dhe filloi të zhdukte diferencat midis nivelit të zhvillimit të qyteteve. Nxorri në pah vlerat historike, arkeologjike, etnografike, ato të kurinarisë dhe traditën duke rritur kështu edhe vetëvlerësimin e qyteteve dhe fshatrave




Skip to toolbar