Kombëtarja U-19, flet Nevil Dede: Kemi strategji të shohim sa më shumë futbollistë nga Shqipëria

KOMBËTARE


Nevil Dede ka dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme, për të folur për listën e lojtarëve të grumbulluar, në prag të dy ndeshjeve miqësore me Kosovën, që kombëtarja jonë U-19 do të luajë më 3 dhe 5 qershor.  Për këtë grumbullim nën urdhërat e trajnerit Dede do të jenë 22 lojtarë, një pjesë e të cilëve vijnë për herë të parë në grumbullim me këtë grupmoshë, siç është rasti i Lucaj, Selishta, Shiba, Ajazi etj. Skuadra është duke u përgatitur dhe testuar për ndeshjet eliminatore të muajit nëntor, ku Shqipëria ndodhet në grup me Belgjikën, Islandën dhe Greqinë dhe faza kualifikuese zhvillohet në muajin nëntor në Belgjikë.

“Deri diku, kjo skuadër po formohet. Ka marrë një fytyrë. Strategjia e zyrës tonë përkatëse është që të shohim sa më shumë futbollistë nga Shqipëria. Këtë e kam deklaruar që në fillim. Arsyeja e parë dhe e vetme për këta futbollistë që marrin pjesë në klubet shqiptare është që të ketë respekt dhe vëmendje. Veç kësaj, i duhet dhënë oksigjen ekipeve shqiptare, pasi kanë edhe një sërë ekipesh zinxhir. Duhet të përmirësohen në procesin e rritjes dhe të jenë sa më funksionalë”, tha Dede.  

Për sa i përket zgjedhjes së lojtarëve, Nevil Dede u shpreh se kjo është strategji për të ndihmuar futbollin në vend. “E para është zgjedhja e elementit më të mirë. Strategji apo ide që duam të ushqejmë futbollin shqiptar. Aty pastaj problematika është se cilët janë më të mirët. Për të furnizuar ekipin U-21 dhe kombëtaren A më pas. Ne i vëzhgojmë gati të gjithë, kudo që ndodhen. Federata ka strukturat e saj edhe në shtetet e tjera të Europës dhe marrim informacion sa më të plotë dhe të saktë. Nëse këta luajnë rregullisht, dërgojmë ftesa dhe shohim se si përshtaten me ambientin”.

Mungesa? “Përqindja më e madhe e lojtarëve janë të pranishëm. Por, duke qenë këto data, dikush mungon për impenjime të shkollës dhe të tjerë luajnë playoff. Ne me 3 qershor dhe 5 kemi ndeshjet zyrtare miqësore. Dikush është ende në aktivitet. Bozhani mungon sepse klubi i tij merr pjesë në playout. Edhe disa emra të rinj, duhet ta shpjegojmë se kemi parë një pjesë. Ky ështe proces që ka edhe ndryshime. Nuk është se nuk i kemi nën vëzhgim dhe vëmendje.”



Skip to toolbar