Komiteti i Rindërtimit, Rama: Transparencë e plotë e donacioneve, do të doja dhe praninë e opozitës

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Komitetin Kombëtar të Rindërtimit për të dëgjuar dhe kontribuar të ardhura që janë mbledhura pas tërmetit tragjik për rindërtimin e zonave të prekura. Në mbledhje marrin pjesë organizatat humanitare, Akademia e Shkencave, Universiteti, Sipërmarrja, Bankat, Inxhinierët, Arkitektët dhe Urbanistët në mënyrë që të gjithë të japin sugjerimet e tyre dhe ndihmën për t’u ringritur sërish.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama tha se kjo tryezë mblidhet në mënyrë që të gjithë të japin sugjerimet e tyre në lidhje me rindërtimin dhe shmangien në të ardhmen të pasojave të tilla tragjike. Rama tha se do  të ketë transparencë të plotë të fondeve të mbledhura, ndërsa nga buxheti i shtetit do të parashikohet një ndihmë në lidhje me këtë rast që do të jetë gjithashtu i monitoruar.


“Ky komitet ngrihet për të qenë një institucion që sugjerojë të gjithë procesin e adresimit të plagëve dhe të kurimit të tyre deri në momentin kur programi i rindërtimit do të jetë i përfunduar. Besoj që të gjithë bashkë duhet të biem dakord për transparencën në përdorimin e të gjitha të ardhurave për kurimin e këtyre plagëve. Qeveria është përgjegjëse për buxhetin e shtetit dhe atë që do të vendosë në dispozicion. Edhe buxheti që do të vendoset në funksion duhet të jetë e monitoruar, ashtu sikur edhe fondet e mbledhura nga organizatat e solidaritetit. Ky komitet është garanti se programi i rindërtimit do të jetë vërtetë fryt i të gjithëve. Qeverisja e këtij procesi bëhet në këtë nivel”, u shpreh Rama.

Kryeministri përsëriti ftesën e tij duke thënë se në këtë tryezë do të donte që të ishte edhe opozita.

“Do të doja të ishte këtu edhe opozita, pasi janë të mirëpritur gjithmonë. Ata që janë me mua në këtë tryezë këtu me mua ndajnë barrën kolosale të kësaj sfide përveç asaj financiare. Jo spontanitete që janë jashtë një plani dhe programi që do të miratohet këtu. Nga qeveria do të jetë plotësisht e përkushtuar në këtë proces”, tha Rama.




Skip to toolbar