Shqipëria zhvillon këtë të martë, 14 korrik 2026, Konferencën e 9-të Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, duke shënuar një tjetër hap në procesin e negociatave për anëtarësim në familjen europiane.
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, vlerësoi progresin e bërë nga vendi ynë dhe theksoi se Shqipëria është në rrugën e duhur, pasi do të mbyllë kapitujt e parë të negociatave,
Kos deklaroi se Shqipëria, së bashku me Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi, po shënojnë përparim të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian.
“ Sot është një “Super e Martë” për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që kryesojnë procesin – Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi – po hedhin të gjitha hapa të mëdhenj përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Me Ukrainën dhe Moldavinë po hapim Klasterin 6, i cili mbulon fusha si mbrojtja dhe siguria, ku argumentet për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian janë veçanërisht të forta. Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë të negociatave. Ndërsa Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapituj. Tani, ky moment pozitiv duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren“, shkruan komisionerja Marta Kos në “X”.
Ajo ka pohuar vazhdimisht se zgjerimi mbetet një nga prioritetet strategjike të Bashkimit Evropian dhe se vendet kandidate që vijojnë reformat dhe përmbushin kriteret do të avancojnë më tej në procesin e anëtarësimit.
Delegacioni i Shqipërisë në Bruksel, i cili kryesohet nga kryeministri Edi Rama do të ulet sot në Konferencën e Nëntë Ndërqeveritare me Brukselin për të mbyllur kapitujt 25, 26 dhe 30, të cilët përkojnë me shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe Kulturën si dhe Marrëdhëniet me Jashtë,
Pas dritës jeshile, Shqipëria konsiderohet plotësisht e njësuar me standardet e Bashkimit Europian në këto fusha, por sigurisht puna më e madhe mbetet ende përpara.
Konferenca e 9-të Ndërqeveritare konsiderohet një moment i rëndësishëm në ecurinë e negociatave të Shqipërisë me BE-në, ndërsa autoritetet shqiptare kanë përsëritur objektivin për të përshpejtuar ritmin e reformave dhe për të çuar përpara mbylljen e kapitujve të negociatave brenda vitit 2027 dhe me synim që anëtarësimi të përmbyllet brenda 2030.
