Shqipëria është më pranë Bashkimit Europian. Të hënën e 14 prillit në Luksemburg do të mbahet konferenca e katërt ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Ky takim do të shërbejë për të hapur negociatat për grupkapitullin e “Tregut të Brendshëm”, i cili përfshin lëvizjen e lirë të mallrave, lirinë e lëvizjes së punëtorëve, e drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime, lëvizja e lirë e kapitalit, e drejta tregtare, e drejta e pronësisë intelektuale, politika e konkurencës, shërbimet financare dhe mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit.
Ky zhvillim është mjaft i rëndësishëm për vendin tonë, i cili deri më tani ka hapur zyrtarisht kapitujt e themeloreve në tetor të 2024, të cilat lidhen dhe me shtetin e së drejtës dhe sundimit të ligjit ndërsa dy muaj më pas në dhjetor, u çelën negociatat për grupkapitullin e marrëdhënieve me jashtë.
Ndërkohë të martën, gjatë vizitës në Tiranë, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas e cilësoi realist dhe të mundshëm objektivin e qeverisë që Shqipëria të jetë anëtare me të drejta rë plota e Bashkimit Europian brenda 2030.