Ndihma nga BE, Rama: Dalim më të fortë nga tragjedia

AKTUALITET


Këshilli Europian vendosi që t’i vijë në ndihmë Shqipërisë për të përballuar tragjedinë e shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit duke mbajtur një konferencë donatorësh që do të zhvillohet në fund të muajit janar. Kryeministri Rama e ka cilësuar këtë një lajm të mrekullueshëm për Shqipërinë, ndërsa thekson se pas tragjedisë shqiptarët do të dalin më të fortë.

“Është një lajm i shumëdëshiruar marrja mbrëmë e vendimit të Këshillit Europian për mbajtjen e Konferencës së Donatorëve në Tiranë, në fund të muajit Janar, me qëllim mbështetjen e Programit të Rindërtimit nga të gjitha shtetet anëtare të BE.


Mbajtja e premtimit që mora nga shumë prej liderëve europianë për këtë konferencë të domosdoshme, më mbush me energji e me optimizëm për suksesin e përpjekjes që të dalim të gjithë më të fortë nga kjo tragjedi, duke nisur nga motrat e vëllezërit tanë fatkeq, të cilët duhet t’i rikthejmë në shtëpi më të mira se ato që humbën, si edhe nga fëmijët e tyre, të cilëve do t’u bëjmë shkolla më të mira nga ato që kishin”, shkruan Rama në facebook.

Më herët në lidhje me këtë vendim reagoi edhe ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca i cili tha se BE do të jetë gjithmonë solidare me Shqipërinë.

Menjëherë pas tërmetit Këshilli Europian akordoi një fond prej 15 milionë eurosh si ndihmë fillestare për Shqipërinë, ndërsa premtoi të tjera fonde pasi të dalë fatura përfundimtare financiare që i duhet vendit tonë për t’u rimëkëmbur.




Skip to toolbar