Vettingu, Komisioneri Publik ankimon një prokuror dhe një gjykatës

Ramiz Lala dhe Petrit Çano, do i rikthehen vettingut, pas ankimimit që Komisioneri Publik ka bërë për të dy në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Drejtuesi i Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano dhe Kryetar i Gjykatës Administrative Gjirokastër, Ramiz Lala ishin konfirmuar më herët nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke kaluar vettingun në të tre kriteret e saj. Komisioneri Publik nuk është bindur nga vendimi i KPK duke e ankimuar atë në KPA për të dy subjektet.

Sipas kërkesës së Komisionerit Publik kërkohet një rivlerësim të ri i aftësive profesionale për Ramiz Lalën, ndërsa kërkon hetime më të thelluara për Petrit Çanon në të 3 kriteret e vettingut.

Gjykatësi Ramiz Lala u konfirmua në detyrë nga KPK në 26 korrik 2019, por në ankimin e Komisionerit Publik thuhet se provat nuk janë të mjaftueshme për vlerësimin e tij në aftësitë profesionale.

Ndërsa për prokurorin e Krujës, Petrit Çano i konfirmuar në detyrë nga KPK më 19 korrik 2019, kërkohen hetime të thelluara në të 3 kriteret e rivlerësimit.

Dy animimet janë dërguar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku pritet që gjyqtari i Gjirokastrës dhe prokurori i Krujës të përballen me fazën e dytë të vettingut.

Gjyqtarja Kosova mbetet në detyrë, tërhiqet KP

Për herë të parë që nga nisja e procesit të Vettingut, Komisioneri Publik është tërhequr nga një ankimin bërë për një pjesëtar të sistemit të drejtësisë. Konkretisht, katër muaj pas ankimimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisioneri Publik është tërhequr nga kërkesa e ankimit në Komisionin e Posaçëm ta Ankimit për gjyqtaren e Apelit për Krimet e Rënda, Nertina Kosova. Gjyqtarja Kosova kaloi me sukses Vettingun në 18 korrik të vitit 2018, por Komisioneri Publik nuk ishte dakord me vendimin e KPK-së, duke e ankimuar atë në Komisionin e Posaçëm të Apelimit.

Një vit më parë, gjatë vendimit të KPK thuhej se “gjyqtarja Kosova nuk ka fshehur pasurinë dhe ishte e aftë profesionalisht, ndërsa cilësohej se nuk kishte lidhje me persona të lidhur me krimin”. Pas këtij vendimi të KPK-së, Komisioneri Publik doli me një deklaratë duke argumentuar sipas tij edhe arsyet pse Nertina Kosova duhet të rikthehej në procesin e rivlerësimit.

“Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, referuar pikës 1, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, shkruhej ndër të tjera në njoftimin e Komisionerit Publik.

 Ende nuk dihen arsyet e argumentuar, pse Komisioneri Publik, tërhiqet për herë të parë nga një çështje e ankimuar prej tij në Komisionin e Posaçëm të Apelimit, duke konfirmuar në detyrë rrjedhimisht gjyqtaren Nertina Kosova.

Pret Vettingun e dytë, Zaganjori: Jam i qetë

Një vit pasi kaloi shkallën e parë të Vettingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Xhezair Zaganjori do të mësojë vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit më 26 korrik. Kjo datë është vendosur si dita kur do të jepet vendimi i KPA-së për Kryetarin e Gjykatës së Lartë, i cili u rikthye në rivlerësimin e Vettingut pas animimit që bëri Komisioneri Publik me rekomandim të ONM.

Sipas Komisionerit Publik, gjyqtari Zaganjori nuk justifikon pasurinë e tij, që shkon rreth 1 miliard lekë. Të mërkurën është mbajtur seanca e radhës dëgjimore për Zaganjorin në KPA, ku pala paditëse, Komisioneri Publik, ka shprehur dhe njëherë kërkesën për shkarkimin e tij. Pas mbledhjes, gjytari Zaganjori është shprehur për mediat se ndihet i qetë, pasi sipas tij, pasuria e tij është e justifikuar, dhe për këtë ai ka dorëzuar mbi 120 dokumente shkresore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

“Gjatë gjithë këtij procesi jam përpjekur për të bërë më të mirën që të paraqes jo vetëm dokumentet, por t’u përgjigjem mbi 100 pyetjeve duke sjellë mbi 120 dokumente, ndihem shumë i qetë dhe duhet të presim që Kolegji ti marrë në shqyrtim pretendimet e mia dhe të komisionerit, një pjesë e të cilave janë pranuar nga komisioneri, por faktet dhe deklarimin tim për pasurinë do të presim datën 26 për të marrë përgjigjen”.

“Unë mendoj që ato prova janë. Gjatë hetimit dhe gjykimit dokumentet që janë kërkuar nga Komisioneri dhe OMN apo KPK-ja unë jam përgjigjur, por disa prej tyre u citën si të përsëritura. Unë mendoj se duhet të merren parasysh, janë zyrtare dhe duhet të merren në konsideratë. Ai thotë mos merren, por vendos Kolegji”.

“Detyra e komisionerit është që të mbrojnë interesin e publikut dhe të ngrejë problemet, por mendoj se edhe ngritja e problemeve e ka një kufi, pasi ajo që është dokument zyrtar është prova. Synohet që të bëhet një reformë tërësore dhe ne kemi detyrë që ta respektojmë. Unë deri ditën e fundit dhe deri tani, me kompetencat që më njeh ligji se kam ndier veten në presion edhe dje kam firmosur plot shkresa për dorëheqje të gjyqtarëve të apelit”, është shprehur Zaganjori.

Skip to toolbar