Në një artikull për Shqipërinë, Deutsche-Welle raporton se javën e ardhshme drejt Gjermanisë do të shkojnë si kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ashtu edhe presidenti Ilir Meta. Deutsche Welle shkruan se vizitat e tyre janë jo zyrtare, por nuk përjashtohet mundësia të zhvillojnë takime për situatën politike në vend dhe zgjidhjen e krizës.
“Javën e ardhshme në Gjermani pritet të vijnë një sërë politikanësh nga Ballkani Perëndimor, ndër ta edhe kreu i opozitës së Shqipërisë, Lulzim Basha, dhe presidenti i Republikës, Ilir Meta. Vizitat e tyre janë jozyrtare, por nuk përjashtohet mundësia që të flitet për mundësitë e ndihmesës gjermane për kapërcimin e krizës në Shqipëri”, shkruan Deutsche Welle.
Basha pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të CDU-së. Zëvendës kryetari i CDU-së, Johann David Wadephul u shpreh negativisht për Shqipërinë dhe vendimin e KE-së për çeljen e negociatave.
“Grupi parlamentar CDU/CSU do të shqyrtojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe do ta krahasojë atë me analizat e tjera që ka në dispozicion. Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse janë plotësuar me të vërtetë kushtet e fillimit të negociatave për anëtarësim të këtyre dy vendeve në BE”, pohon Wadephur, duke shtuar se “një shqyrtim i këtillë nuk mund të bëhet me nxitim”. Sipas tij, kjo as nuk do të justifikohej dot para popullsisë gjermane, e as nuk do të ishte e drejtë ndaj vendeve në fjalë. “Ndaj Bundestagu gjerman do të mund të vendosë vetëm në fund të shtatorit për çeljen e negociatave të anëtarësimit, sikurse është rënë dakord me kolegët e grupit parlamentar socialdemokrat”, tha Johann David Wadephul.
Edhe Basha dhe partia që ai drejton ka qenë në të njejtën linjë mendimi.