Kryeprokurori, Arta Marku nuk ankimon, sot lista në Kuvend

AKTUALITET


Ka përfudnuar afati për ankimim ndaj vendimit të KLP për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, duke i hapur rrugë zgjedhjes së kryeprokurorit nga Kuvendi i Shqipërisë pas një periudhe prej afro dy vitesh, që prokuroria drejtohet me prokurore të përkohshme.

E vetmja që pritej të ankimonte vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ishte Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme, Arta Marku, e cila një ditë më herët kishte kërkuar informacion mbi pikëzimin e saj, me qëllim ankimimin, por siç duket ajo ka vendosur që të mos e kryejë një veprim të tillë, ndërkohë që tashmë pritet që lista me renditjen e tre kandidatëve e KLP t’i dërgohet Kuvendit, që brenda 30 ditësh duhet të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm.


Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanËeb” se shkresat nga KLP i janë vënë në dispozicion sot paradite Markut por zyrtarisht nga Gjykata e Apelit Administrativ konfirmohet se nuk ka asnjë ankimim. Tashmë lista e tre kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm pritet t’i dorëzohet Parlamentit nesër. Marku u rendit e dyta me 406 pikë pas Olsian Çelës me 459 pikë dhe para Fatjona Memçaj me 362 pikë.

Më 14 nëntor, KLP miratoi me shumicë votash vendimin për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm me mandat kushtetues.




Skip to toolbar