Edi Rama nuk ka zhvilluar asnjëherë një vizitë në Rusi me detyrën e Kryeministrit të Shqipërisë dhe nuk ka zhvilluar takime me presidentin Putin, por duket se kjo do të ndryshojë shumë shpejt për shkak të detyrës dhe rolit të ri të Shqipërisë si kryesuese e OSBE për 2020. I pyetur nga gazetari i Real Story, Thimi Samarxhiu nëse pritet të zhvillojë takime në Rusi, Rama u shpreh se shumë shpejt do të zhvillojë një takim të tillë si drejtues i kryesisë së OSBE-së, ndërsa vizitat do të shtrihen edhe në SHBA dhe Ukrainë.
“Vizita në Rusi është pjesë e axhendës së drejtuesit të OSBE. Është pjesë e angazhimeve që unë kam marrë. Kemi bërë harmonizimin e takimeve me ministrin në detyrë për të balancuar obligimet e OSBE me ato të brendshme. Disa vizita do të bëhen shumë shpejtë. Vizita në Ukrainë, SHBA dhe Rusi. Për datat presim konfirmimin nga të gjitha palët”, shpreh Rama.
Se sa e vlefshme do të jetë edhe për Kosovën fakti që Shqipëria kryeson OSBE për 2020, Rama tha se të gjitha prioritetet dhe vendimmarrjet që do të merren gjatë drejtimit të zyrës së OSBE duhet të miratohen edhe nga të tjerët, por shtoi se janë parë me kujdes që të mos jenë dëshira të parealizueshme dhe që t’i shërbejnë edhe Kosovës. Rama tha se do të bëjë diçka për Kosovën, ndërsa shtoi me ironi “aq më tepër që në Prishtinën zyrtare jam tradhtar dhe në Beogradin zyrtar jam nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar” duke iu referuar sulmeve në lidhje me “mini-shengenin”.
“Do të bëjmë të gjitha ato që kemi planifikuar. Ne nuk marrim drejtimin e OSBE dhe nuk e marrim drejtimin për të rindërtuar OSBE apo rishpikur mekanizmat apo qasjen tradicionale, pasi faktikisht ne vërtet jemi drejtues të organizatës për një vit, por është një drejtim që është shumë koordinim me të tjetër dhe vendimmarrje që duhet miratuar patjetër me të tjetër. Nuk është le të themi drejtimi i një qeverie në një vend dhe në këtë aspekt sigurisht që kemi disa ambicie dhe kemi vendosur disa prioritete dhe kemi qenë të vëmendshëm që në këto prioritete të mos vendosim dëshira të parealizueshme. E kemi kapacitetin e duhur për të bërë diçka më tepër për Kosovën sidomos tani që në Prishtinën zyratre jam tradhtar dhe në Beogradin zyrtar jam nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar”, tha Rama.