Kukan: Shqipëria, larg negociatave. Shkak, bojkoti i opozitës

Më të fundit


Maqedonia e Veriut mund të marrë një datë për fillimin e negociatave në vjeshtë, ndërsa ky skenar është më pak realist për Shqipërinë. Kështu është shprehur Eduard Kukan, i cili kryesoi Grupin e Punës për Ballkanin Perëndimor gjatë kohës së tij në PE, në një intervistë me Shoqatën Sllovake të Politikave të Jashtme (SFPA), ndërkohë që sipas argumenteve të dhëna prej tij për Shqipërinë rezulton se pothuajse e gjithë përgjegjësia bie mbi opozitën, e cila ka bojkotuar parlamentin dhe zgjedhjet lokale dhe nuk pranon dialog me Ramën.

Në intervistën e tij, Kukan thotë se “Maqedonisë së Veriut mund t’i jepej një datë specifike në samitin evropian në vjeshtë”, duke shtuar se, ndërsa Emmanuel Macron ka pasur deklarata shumë kategorike për këtë çështje, duket se ai tashmë po i lehtëson ato.


Nga ana tjetër, ndërsa është i vetëdijshëm se Tirana po pret një hap të ngjashëm, Kukan beson se situata e Shqipërisë është krejtësisht e ndryshme.

“Ata (Shqipëria) duhet të zbatojnë një reformë të madhe gjyqësore, opozita bojkoton parlamentin dhe mbi të gjitha, shqiptarët nuk mund të gjejnë kompromis”, theksoi ai, duke shtuar se do të ishte joreale që Shqipëria të merrte datën për momentin.

Aktualisht në Shqipëri, reforma e drejtësisë ka nisur zbatimin, ndërkohë që opozita pas djegies së mandateve dhe bojkotimit të zgjedhje nuk ka bërë ende asnjë hap për kompromis me mazhorancën, pavarësisht se Kryeministri Rama i ka shtrirë dorën disa herë kreut të opozitës, duke shkaktuar kështu jo vetëm një krizë brenda vendit, por edhe shtyrjen e mundshme të një date për hapjen e negociatave.

Kur bëhet fjalë për dialogun Beograd-Prishtinë, Kukan edhe një herë shprehu kritika ndaj përfaqësueses së lartë, Federica Mogherini, e cila, sipas tij, nuk tregoi aftësi të mjaftueshme drejtuese.

“Në momentin kur Kosova po vendoste tarifa për Serbinë, ishte e nevojshme të udhëtonte atje dhe të përplaste tavolinën”, thotë Kukan.

Ai nuk mendon se edhe pasardhësi i Mogherinit, Josep Borrell do të bëjë një punë shumë më të mirë. “E mbaj mend si President i Parlamentit Evropian. Emërimi i tij më befasoi sepse spanjollët kanë politikanë më dinamikë dhe më të rinj”, tha Kukan, duke propozuar një të dërguar special si një zgjidhje për dialogun.

I pyetur për idenë e shkëmbimit të territoreve, që po qarkullonte rreth një vit më parë, ai deklaroi se nuk ishte vetëm një strategji fushate. “Unë pres që çështja e zgjidhjes së njohjes së Kosovës duke shkëmbyer territore me Serbinë, do të kthehet. Sidoqoftë, kjo mund të destabilizojë Bosnjën dhe Hercegovinën”, paralajmëroi Kukan, duke theksuar kundërshtimin e tij ndaj idesë.




Skip to toolbar