Politika e Jashtme e PD është kaotike dhe e rrëmujshme, njëlloj si organizimi i të gjithë partisë. Kështu shkruan ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri në një mesazh të publikuar të shtunën në mëngjes dhe që i kundërvihet propozimit të “demokratit”, Kastriot Islami, për të bërë Gjermaninë partner strategjik dhe për të hequr dorë nga SHBA-të.
Kulluri argumenton se pse SHBA-të kanë qenë ndër vite partner strategjik dhe se pse duhet të vijojnë të qëndrojnë të tilla. Sipas tij, roli i SHBA aktualisht merr rëndësi më shumë se kurrë për të penguar “hyrjen e butë” të orientalizmit dhe “carizmit oligarkik” në sistemet e dobëta politike të hapësirës shqiptare. Një deklaratë kjo që lidhet me të gjitha akuzat për ndikimin rus në politikën shqiptare, të cilës mund t’i bëjë ballë vetëm Amerika. Një deklaratë gjithashtu që sulmon hapur kreun e PD-së, Bashën, i cili është nën hetim për pastrimin e parave ruse përmes financimit të lobimit në SHBA.
“Politika e jashtme e PD si fotokopje e rrëmujës ideologjike dhe organizative e PD-së zyrtare! Njëri thotë se “Turqia është aleati i jashtëzakonshëm strategjik i Shqipërisë”, ndërsa dikush tjetër kërkon “të shpallet Gjermania aleati strategjik”, dy vende vërtet të rëndësishme partnere europiane dhe rajonale! Çdokush ka të drejtën e vet të ketë një opinion të tijin në demokraci dhe s’ka asgjë të keqe! Mund të ketë të tjerë që mund të kërkojnë edhe vende të tjera si Partnere Strategjike, por kur arrihet në përfundime si këto, kërkohet që të mendohet përtej interesave konjukturiale politike të momentit! Por në thelb politika e jashtme lidhet kryesisht me Sigurinë Kombëtare.
Nga 1913 e këtej, kanë qenë SHBA (jo te vetme natyrisht) që kanë udhëhequr mbrojtjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve prej çdo rreziku që i vinte prej së jashtmi! Prej shkëputjes nga Perandoria Osmane e deri tek Pavarësia e Kosovës kanë qenë SHBA si fuqia më e madhe e skenës botërore që kanë mbështetur faktorin shqiptar në Ballkan e Adriatik si komb partner. Kanë qenë SHBA që qëndruan përballë Bashkimit Sovjetik dhe Komunizmit si murtaja politike më e rëndë e modernitetit duke na nxjerrë sërish në perëndim pas 45 vitesh apo më tej prej 500 vitesh!
Edhe sot SHBA qëndrojnë përballë dhe pengojne “hyrjen e butë” të orientalizmit dhe “carizmit oligarkik” në sistemet e dobëta politike të hapsirës shqiptare! Sepse vetëm një fuqi globale dhe demokratike e vetme si SHBA mund të prijnë këtë betejë strategjike, etj.”, argumenton Kulluri.
Sipas Kullurit, partneri strategjik nuk mund të përcaktohet nga interesat e momentin, dhe meqenëse Basha gëzon mbështetja nga disa deputetë të CDU-së duhet të kthejmë sytë nga Gjermania, por duhet shihet në tërësi e gjithë politika e jashtme. Burime për Realstory.al kanë konfirmuar se qëndrimet e muajve të fundit të PD-së, duke nisur që nga protestat e dhunshme, bojkoti i zgjedhjeve, qëndrimet e dyzuara ndaj reformës në drejtësi, por edhe lobimi kundër ambasadores Kalavec, kanë futur PD-në në një ‘luftë të ftohtë’ me Dapartamentin Amerikan të Shtetit. Por, kjo sipas Kullurit, s’mund të jetë arsyeja që të mendohet ndryshimi i partnerit strategjik.
Ai shkruan se “demokratët” në thonjëza, (siç është Islami, socialist i orëve të para) janë të nxituar në propozimet e tyre për të ndryshuar partnerin strategjik. Ai i çon dhe Berishës një mesazh, duke i kujtuar ish kryeministrit se kjo çështje është diskutuar me seriozitet dhe është marrë vendimi si në qeveri ashtu edhe në parlament, në kohën kur PD ishte në maxhorancë. Dhe se një vendim i rëndësishëm si ky nuk mund të merret nga shtabi i Bashës që sugjeroi bojkotin.
“Por miqtë “demokratë” që janë nxituar në mos deklarimin e SHBA si partneri i vetëm strategjik nuk duhet të harrojnë Italinë dhe Greqinë si dy vende kufitare me të cilat me gjithë ulje-ngritjet e tyre janë partnerë direkte rajonale për shqiptarët. Por Partner Strategjik ka vetëm 1! As 2 e as 3! Në vend të përfundimit: Dokumenti i Strategjise Kombëtare të Republikës së Shqipërisë është diskutuar ne qeverinë dhe mazhorancën e mëparshme si në nivel ekzekutiv dhe atë parlamentar! Nuk është e nevojshme që ta rishikojë shtabi i protestave dhe bojkoteve të Bashës!”, shkruan Kulluri, ndërsa e mbyll mesazhin në anglisht, në nder të partnerit strategjik “See you soon!” (shihemi së shpejti).
Në fakt shtatori është afër dhe Kulluri është një ndër zërat më të fortë të lëvizjes Basha Ik që starton së shpejti dhe vetëm pak ditë më herët ai ia bëri të qartë kreut të PD-së se “do më kesh përballë në çdo cep të Shqipërisë”. Përveç djegies së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve, propozimi më i fudnit për ndryshimin e partnerit strategjik, i shtoi lëvizjes Basha ik, një tjetër argument kundër kreut të PD-së./Realstory.al