Me Armando Cungun në krye, Laçi është rikthyer përsëri me grintën që e karakterizon. Ekipi kurbinas bëri një ndeshje tjetër të mirë këtë javë, duke mundur Flamurtarin me rezultatin e pastër 3-0. Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë të lojës. I pari u shënuan nga Shehu në të 48`. Në të 59` i zakonshmi Nuabueze gjeti rrjetën nga pika e bardhë e penalltisë, duke dyfishuar shifrat për Laçin.
Por skuadra e trajnerit Cungu nuk u mjaftua me kaq. Shtatë minuta para përfundimit të ndeshjes Teco gjeti rrjetën duke shënuar golin e tretë për Laçin. Kështu, skuadra kurbinase afrohet me vendet e kreut pasi shkon në vendin e katërt në renditje me 22 pikë, 3 më pak se Partizani që mban vendin e parë.
Ndërkohë, Flamurtari duket i pashpresë, madje ekipi vlonjat duket se nuk do të konsiderohet më një kundërshtar për asnjë nga ekipet e tjera të Superligës për këë sezon. Të paktën deri tani, përshtypja është kjo, e konfirmuar dhe nga statistikat.
Flamurtari ndodhet në vendin e fundit në renditje me vetëm 5 pikë, të gjitha të fituara nga barazime, ndërsa numëron 9 humbje dhe asnjë fitore. Mbijetesa duket një mision i vështirë edhe nëse në merkaton e janarit do të ketë ndryshime në skuadër.