Lamtumirë Papa Françesku! Bota përcjell Papën e të varfërve, në ceremoni liderë botërorë

BOTA


Papa Françesku u përcoll për në banesën e fundit këtë të shtunë. Arkivoli i Papa Françeskut u zhvendos nga Bazilika e Shën Pjetrit në sheshin me të njëjtin emër, ku rreth 200 mijë besimtarë ishin mbledhur për t’i dhënë lamtumirën Atit të Shenjtë.

Ceremonia e lamtumirës u drejtua nga kardinali Giovanni Batista Re, dekani i kolegjit të kardinalëve, i cili mbajti meshën në gjuhën latine. Giovanni Batista Re më pas lexoi një jetëshkrim të Papa Françeskut. Ai kujtoi si Ati I Shenjtë ishte pranë njerëzve të varfër dhe qëndrimin e Bergolios se si Kisha u përket të gjithëve, është një shtëpi e hapur për të gjithë besimtarët katolikë.Mbështetja e Papës për emigrantët u kujtua gjatë ceremonisë dhe qëendrimi I tij kundër çdo lufte.

Liderët botërorë ishin të pranishëm në ceremoninë mortore të Atit të Shenjtë. Presidenti amerikan Donald Trump, i shoqëruar nga zonja e parë Melania, u ul në rresht të parë për të ndjekur funeralin. Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti argjentinas Javier Milei ishin gjithashtu të pranishëm. Mbreti Felipe i Spanjës dhe mbretëresha Letizia ndoqën ceremoninë, ku nuk mungoi as princi Uilliam I Uellsit, I cili përfaqësoi të atin e tij, Mbretin Karl III. Ish-presidenti amerikan Joe Biden dhe ish zonja e parë Jill morën gjithashtu pjesë në ceremoni.Në emër të Shqipërisë në ceremoni mori pjesë presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe delegacionet fetare. Kardinali shqiptar Ernes Simon Troshani ishte gjithashtu i pranishëm. Delegacioni i Kosovës  u kryesua nga presidentja Vjosa Osmani.

Papa Françesku u nda nga jeta në 21 prill të vitit 2025, të hënën  e pashkëve. Shkak I vdekjes ishte një goditje në tru dhe arresti kardiak. Në fillim të këtij viti, Ati I Shenjtë u shtrua për 5 javë në spital, pasi vuante nga një infeksion i mushkërive, që avancoi në pneumoni.

Ai do të mbahet mend si Papa i të varfërve, që foli hapur kunddër luftës, në mbrojtje të emigrantëve, të më të dobëtve dhe reformoi kishën katolike me qëndrimet e tij të konsideruara nga shumë, si liberale. Nga e shtuna e 26 prillit, në Vatikan nisin 9 ditë zie. Më pas do të mblidhet konklava papnore, që do të zgjedhë pasuesin e Jose Maria Bergolio në krye të Kishës Katolike Romake.



Skip to toolbar