Lazio katastrofë, e mund Chievo i vendit të fundit (video)

Më të fundit


Një ekip që ka siguruar rënien nga kategoria dhe një tjetër që lufton për një vend mes katër më të mirave të kampionatit, përballen mes tyre në ndeshjen e radhës… Në fund fiton Chievo, që tashmë ka siguruar zyrtarisht Serinë B për sezonin e ardhshëm, duke u larguar nga elita e futbollit italian.

Ndërsa Lacio, që duhet ta fitonte patjetër këtë përballje, bën gjithçka keq dhe largon veten nga zona “Champions” për sezonin e ardhshëm, pasi u mund në shtëpi nga vendi i fundit në renditje.

Gjithçka dukej normale deri në momentin që Milinkoviç-Saviç godet me shkelm pa kuptim kundërshtarin, Stepinski, ndërsa arbitri e ndëshkon sulmuesin e Lacios me karton të kuq.

Dalja nga fusha e sulmuesit të vendasve, u ka krijuar shansin miqve të përfitojnë nga superioriteti numerik duke shënuar dy gola të shpejtë në fillim të pjesës së dytë me Vignato (49′) dhe Hetemaj (51′). Vendasit kanë ngushtuar diferencat me Caicedo (67′), por nuk kanë arritur të shmangin humbjen.

Një mundësi e artë e shpërdoruar nga Lazio, që ka zbritur në vendin e tetë të renditje. Në rast fitoreje, bardhekaltrit do të kishin qenë vetëm një pikë larg vendit të katërt.

Lajme të këqija edhe për Vesel-in, i cili nuk ka arritur të ndihmojë Empoli-n që të shmangë humbjen 4-2 të pësuar në shtëpi kundër Spal-it. Ekipi i mbrojtësit shqiptar mbetet në vendin e 18-të me 29 pikë, katër larg zonës së mbijetesës, kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje për t’u luajtur.



Skip to toolbar