Lekaj dënohet me tre vjet e tetë muaj burgim për rastin e 53 milionëshit

KOSOVA


Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me tre vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtimit të buxhetit të Kosovës.

Dënimi, i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar, ka të bëjë me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.


Gjykata shqiptoi edhe dënim plotësues për deputetin e Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj, përmes së cilit ia ndalon për një periudhë prej tre vjet e gjashtë muaj ushtrimin e funksionit në administratën publike.

Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 53 milionë euro shtesë për kompaninë në fjalë për punimet e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, për shkak të, siç kishte thënë Qeveria, dështimit të ekzekutivit të mëhershëm që t’i paguajë me rregull faturat.

Pas debateve të nxitura dhe dyshimeve të ngritura nga partitë opozitare autoritetet në Kosovë kishin nisur hetimet lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel&Enka.

Më 2020, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, shfuqizoi vendimin e ekzekutivit paraprak për zgjatje të afatit të kontratës për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Me këtë vendim, Qeveria Kurti ndërpreu negociatat me konsorciumin turko-amerikan, Bechtel-Enka për ndërtimin e lidhjeve të reja dhe të një mbikalimi në autostradë. Ezekutivi kërkoi po ashtu, që dikasteret përkatëse të bënin vlerësimin e dëmit të shkkaktuar në buxhet nga vendimi i shfuqizura.

Ndryshe, autostrata Prishtinë-Shkup e quajtur “Arbën Xhaferi” ka një gjatësi prej 55 kilometrash dhe ndërtimi i saj i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 600 milionë euro. Kjo autostradë ishte inauguruar më 2019.




Skip to toolbar