Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj foli në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, ku tregoi arsyet pse u pa e nevojshme për të krijuar një ligj special kundër krimit të organizuar. Ministri argumentoi se së pari, se nisma është politike, një vullnet politik që synon t`i japë goditje krimit. “Do them që kjo nismë ligjore është nismë politike. Nëse flasim për përdorim politik po, pasi është nismë politike, vullnet politik për t’i dhënë goditje krimit e korrupsionit në nivel të panjohur më parë. Lidhet me situatën në të cilën ndodhet vendi sot. Ndodhet në një situatë, që karakterizohet nga Reforma në Drejtësi, dhe tashmë kjo reformë po afrohet drejt fazave finale të saj”, tha Lleshaj.
Sipas tij, në kushtet kur Reforma në Drejtësi është ende pa u zbatuar plotësisht, është krijuar një vakum për goditjen e krimit të organizuar. Sipas tij, shkak është bërë Vettingu, që ka larguar nga sistemi i drejtësisë shumë gjyqtarë e prokurorë, por njëkohësisht, shumë të tjerë nuk po punojnë me efektivitet kundër krimit, për shkak se presin Vettingun. Për këtë arsye, sipas Ministrit Lleshaj janë krijuar shumë probleme për zbatimin e ligjit kundër personave që kanë precedentë penal.
“Ka një demotivim, ose motivim për keq, të atyre që parashikohet të mos e kalojnë Vettingun. Këta po krijojnë kosto, përmes vendimeve skandaloze, që po japin, duke bërë që persona me rekorde kriminale të mos dënohen, të dënohen pak, ose të lirohen në sallë e gjyqit. Kriminelët të dalin dhe të bëjnë sërish krime. Kemi një trup të caktuar gjyqtarësh e prokurorësh, që po bëjnë të kundërtën e asaj që duhet. Për të mbuluar edhe boshllëkun e SPAK, BKH, ne kërkojmë të adresojmë dhe zgjidhim këtë problem. Ka dy qasje, e para të dekurajojë krimin, kokat e krimit që kanë komoditetin për të bërë më shumë krime, dhe të fuqizojë instrumentet e luftës ndaj tyre”, deklaroi ministri./Realstory.al/