“Të gjitha banesat duhet të jenë të siguruara”

AKTUALITET


Nga mbledhja e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar fjalës së inxhinieres Luljeta Bozo që kërkoi hetim për ndërtimet, tha se në Shqipëri nuk është problem ligji. Rama u shpreh se problem është zbatimi i tij, ndërsa theksoi se “KÇK” ka bërë namin me ndërtimet. “Këtu nuk është ligji por zbatimi i tij. ne e dimë që KÇK ka bërë namin me ndërtimet, namin”, tha Rama. Më tej, ai paralahjmëroi se qeveria nuk do të marrë më përgjegjësi për ndërtimet që do të shkatërrohen nga fatkeqësitë natyrore.

Sipas Ramës, në vijim do të bëhet i detyruar sigurimi i banesës. Ai tha se aktualisht shumë nga familjarët që u janë shembur shtëpitë nga tërmeti kanë përfituar dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimit, pasi më herët kishin bërë sigurimin e banesës. Rama tha se kjo praktikë duhet të bëhet e detyruar në vijim.


“Duhet që sigurimi i banesës të bëhet i detyrueshëm. Janë një numër i konsiderueshëm nga këto që janë dëmtuar që kanë marrë dëmshpërblim. Janë 12 milionë euro që janë paguar nga sigurimet. Mund të shkojnë dhe më tepër. Nuk e kanë konsideruar sigurimin e kokës së tyre si taks. Ne nuk do rimbursojmë më dëme që janë si rezultat i mosmarrjes së përgjegjësisë individuale. Të gjitha banesat duhet të sigurohen”, tha Rama.

Ndërkohë, inxhinierja Luljeta Bozo tha se duhet bërë një organizim më i mirë i punës në terren. Ajo kërkoi që pushteti lokal të mos pranojë asnjë ndërtim pa projekt.

“Brenda një jave duhet ta kemi këtë panoramim. Pas kësaj, duhet bërë një plan organizimi, nga njësia vendore ta organizojë punën se si të fillojë me strehimin e banorëve, nga ato që janë në qiell të hapur dhe të jepet një afat, afati është shumë i rëndësishëm. Që çdo gjë të jetë shumë e qartë. Kur janë tre-katër kurora në një shtëpi, sa shtëpi do t’u bëhet atyre. Problemi i fondit për banesat private, shteti, por të jap fond dhe individi. Asnjë komunë nuk duhet të pranojë një rindërtim pa projekt, është e pamundur. Administrata të jetë më operative, nuk duhet të punojë më me ritmin që ka punuar më herët”, tha Bozo.




Skip to toolbar