Paralajmërimi i SHBA duket se nuk ka rënë në vesh të shurdhët, pasi LSI ka reaguar pas deklaratave të Palmer, duke u distancuar nga dhuna në protesta. Sekretari i përgjithshëm i LSI, Endrit Brahimllari, pak orë para protestës ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe distancim nga dhuna. “LSI dënon çdo formë dhunë nga kushdo që e bën atë” tha Brahimllari ndërsa shtoi shqiptarët do të tregojnë se janë kundër rrugës që na kthen në diktaturë. Ashtu si kryetarja e LSI, Kryemadhi ditën e premte, edhe Brahimllari theksoi se beteja nuk është kundër policisë por pushtetit kriminal të Ramës.
“Protesta do jetë demonstrim i qytetarisë dhe vlerave perëndimore. Në asnjë rrethanë nuk e duam dhunën e distancohemi. Jemi bashkë me zërin e qytetarëve. LSI dënon çdo formë dhunë nga kushdo që e bën atë. Njeriu i cili kërkon të ushtrojë dhunë përmes pushtetit kriminal është Edi Rama. Dita e sotme do i tregojë qartë se shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë kundër rrugës që na kthen në diktaturë. Beteja jonë nuk është kundër policëve po kundër sistemit kriminal të Ramës. Protesta është protestë kundër varfërisë, arrogancës, grabitjes së taksave. Sot është ditë vendimtare të bashkojmë zemrat në protestë jemi bashkë për Shqipërinë tonë.”- tha Brahimllari