Manastirliu: Vaksinat e para të Covax vijnë në shkurt, parapaguam 4 milionë $

CORONAVIRUS



Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar pikën e testimit të shpejtë në qendrën shëndetësore të “Qytetit Studeti”, e cila është një nga gjashtë pikat e kryerjes së testit të shpejtë në Tiranë, ku deklaroi se deri tani janë kryer në të gjithë vendin mbi 55 mijë teste të shpejta.

“Kemi hapur 51 pika të testimit të shpejtë në komunitet në të gjithë vendin. Dhe është një ndër sukseset e strategjisë sonë, pasi ajo çfarë po ndodh është që nuk ka më vonesa në kryerjen e testit. Ai kryhet nëpërmjet rezervimit online me mjekun e familjes. Deri më tani, me përfshirjen e testimit të shpejtë të antigentit, janë kryer më shumë se 55 mijë teste të shpejta në këto 51 pika testimi në të gjithë vendin. Pa harruar që po vijohet me testimin klasik, pra atë të PCR në të gjithë strukturat tona”, tha Manstirliu.


Gjatë inspektimit në Qendrën Shëndetësore “Qytet Studenti, Manastirliu tha se strukturat e shëndetësisë janë në alert të shtuar, për shkak të situatës në Europë të rasteve të variantit të ri të koronavirusit.

“Aktualisht në Shqipëri nuk kemi konfirmim të rasteve me variantin e ri të covid19, por duhet të jemi vigjilent për të kapur në kohë rastet. Vijojmë të jemi në alert të shtuar pasi numri i rritur i rasteve, edhe pse është një rritje e qëndrueshme, na vendosin në vigjilencë të shtuar, por e njëjta vigjilencë kërkohet edhe nga qytetarët. Lufta ende vazhdon dhe jemi ende në mes të betejës”, tha Manstirliu.

Duke folur për vaksinat antiCOVID, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se do të garantojmë furnizimin me vaksinën antiCOVID përmes dy kontratave, drejtpërdrejt me Pfizer si dhe nëpërmjet mekanizmit COVAX.

“Kemi filluar vaksinimin me më shumë se 500 mjekë dhe infermirë të spitaleve COVID dhe vaksinimi do të vijojë, pasi ne kemi garantuar edhe vijimin e furnizimit me dozat e vaksinës nëpërmjet kontratës me Pfizer dhe gjithashtu edhe nëpërmjet COVAX, ku kemi parapaguar 4 milion dollarë dhe që pritet që furnizimet e para të vijnë në Shkurt. Vaksinimi ështe një armë më shumë për mposhtjen e këtij virusi, por ne duhet paralelisht të vijojmë me vigjilencë të shtuar, në mënyrë që të kontrollojmë situatën e epidemisë në vend”, tha Manastirliu.