Mbi 2 mijë të ftuar nga 203 vende në kurorëzimin e mbretit Karli III

BOTA


Më shumë se 2 200 të ftuar, përfshirë krerë shtetesh, emra të famshëm dhe organizata humanitare nga 203 vende si dhe anëtarë të familjes mbretërore, do të marrin pjesë sot në ceremoninë e kurorëzimit të mbretit Charles III.

Mbreti Charles III dhe mbretëresha Camilla do të kurorëzohen në Westminster Abbey në Londër. Në kurorëzimin e mbretëreshës Elizabeth II, në vitin 1953, morën pjesë më shumë se 8 200 të ftuar.


Princi William dhe bashkëshortja Kate, si dhe motra dhe vëllai i mbretit Charles III, princesha Anne dhe princi Edward, do të marrin pjesë në ceremoni. Princi Harry ka konfirmuar se do të marrë pjesë në ceremoni, por jo bashkëshortja  e tij Meghan, e cila do të kujdeset për të dy fëmijët e saj.

Në mesin e të ftuarve që do të marrin pjesë në ceremoninë e kurorëzimit do të jenë edhe liderë botërorë dhe figura të rëndësishme politike. Përveç kryeministrit britanik Rishi Sunak, në ceremoni do të marrin pjesë ministra dhe anëtarë të Dhomës së Lordëve si dhe ish-kryeministrat britanikë si Liz Truss dhe Tony Blair si dhe kryeministri skocez Hamza Yusuf.

Në mesin e figurave politike që do të marrin pjesë në ceremoninë që do të mbahet në Londër janë presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri australian Anthony Albanese, kryeministri i Zelandës së Re Chris Hipkins dhe presidentja e Komisionit të Bashkimit Europian (BE) Ursula von der Leyen.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit, por bashkëshortja Jill Biden do të jetë e pranishme në emër të vendit të tij. Gjithashtu në ceremoni pritet të marrin pjesë edhe udhëheqësit fetarë dhe përfaqësuesit e Komonuelthit.

Ndër anëtarët e familjeve mbretërore të vendeve të tjera, të cilët do të vijnë në Londër për të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit, do të jenë princi Albert i Monakos, mbreti i Spanjës Felipe apo princi i Kurorës së Japonisë Akishino.

Kryeredaktori i revistës britanike të modës “Vogue”, Edëard Enninful dhe këngëtari amerikan Lionel Richie janë ndër emrat e njohur nga bota e artit dhe modës të cilëve u janë dërguar ftesa për ceremoninë.

Mediat britanike spekulojnë se në listën e të ftuarve janë edhe ish-futbollisti anglez 47-vjeçar David Beckham dhe bashkëshortja e tij Victoria. Një ditë pas kurorëzimit do të mbahet një koncert i madh në kështjellën Windsor.

Në koncert do të performojnë shumë artistë, si këngëtarja me famë botërore Katy Perry, Lionel Richie dhe Andrea Bocelli.

Koncerti, në të cilin do të marrin pjesë 20 mijë persona nga i gjithë vendi dhe do të ndiqet drejtpërdrejt në më shumë se 100 vende të botës, do të jetë një ngjarje publike me pjesëmarrjen e vullnetarëve nga organizata të shumta humanitare.

Këngëtari, kompozitori dhe pianisti i famshëm britanik Elton John refuzoi të performonte në koncert, duke u arsyetuar me turneun e tij jashtë vendit.




Skip to toolbar