Dy mbledhje të rëndësishme janë parashikuar të zhvillohen sot në selinë e Partisë Demokratike. Kështu njoftohet se Basha do të mbledhë në orën 12.00 kryesinë e kësaj partie si dhe ish deputetët e Grupit Parlamentar, ndërsa në orën 17.00 do të mbledhë Këshillin Kombëtar.
Mësohet se në këto takime do të diskutohet dhe do të merret një vendim se si do të vijojë aksioni opozitar në ditët në vijim.
Një ditë më parë Basha zhvilloi një takim me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, ndërkohë që sot do të diskutojë më strukturat e partisë.
Opozita e Bashkuar prej kohësh tashmë ka braktisur parlamentin, ndërsa ka dorëzuar mandatet e deputetëve. Vetë Basha është shprehur në një intervistë televizive se nuk do të zhvillohen zgjedhje në 30 qershor.