Mero Baze: SHBA i shkund Berishës hirin e “Vatrës”

Më të fundit


Takimi i ambasadores Yuri Kim me një përfaqësi të një organizate të re shqiptaro-amerikane, risjell në debatin publik të vendit, përpjekjen e Sali Berishës dhe PD, për të mbajtur larg ndikimit të qeverisë amerikane, organizatat e diasporës në SHBA. Dhe akoma më keq, t’i përdorin ato si celula lufte kundër SHBA, kur është në luftë me PD.

Një histori e ngjashme ndodhi në vitin 1996.


Ndërsa Berisha ishte prishur me administratën amerikane për shkak të zgjedhjeve të 26 majit dhe përdorimit politik të drejtësisë kundër rivalëve të vet, në Uashington u krijua Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) me në krye profesor Sami Repishtin.

Këshilli u krijua si një nevojë për komunikimin e diasporës shqiptare në SHBA me qeverinë amerikane, rreth problemeve të Shqipërisë dhe Kosovës, pasi autoriteti i shoqatës historike “Vatra” ishte kompromentuar duke u kthyer në një seksion radikal të PD në SHBA.

Në kushtet kur SHBA kishte hyrë në krizë me administratën e Berishës, ndërkohë që në Kosovë gjendja po acarohej, diaspora shqiptare kishte mbetur pa zë pranë Departamentit të Shtetit.

Krijimi i NAAC me personalitete shqiptare kryesisht të brezit të dytë ose tretë, të lindur në SHBA, të integruar dhe të suksesshëm në SHBA, ishte një ogur i mirë.

Sali Berisha e priti plot dyshim dhe thuri një sërë teorish konspiracioni mbi këtë organizatë, të cilën e shikonte si institucion për të goditur atë në SHBA. Dhe natyrisht vreri u derdh mbi profesor Repishtin, ndaj të cilit shpërndante akuza nën tavolinë.

Por NAAC bëri disa hapa serioz. Ndër to, më seriozi ishte caktimi i një personi kontakti me Departamentin e Shtetit, detyrë që ia ngarkuan Ilir Zherkës, një intelektual i ri, i brezit të dytë në SHBA.

NAAC i dhanë mbështetje kongresmenë dhe senatorë që merreshin me çështje shqiptare, përfshi dhe ish-ambasadori i parë i SHBA pas komunizmit, William Rajerson.

Por kur Këshilli u përpoq të vendoste kontakte zyrtare me Ambasadën e Shqipërisë në Uashington, u përball me konspiracionin e Sali Berishës. Ai kishte dhënë urdhër të mbaheshin larg.

Sekretari i Ambasadës shqiptare në Uashington i ktheu një përgjigje fyese sekretares së Këshillit, duke theksuar se në këshill bëjnë pjesë anëtarë të lidhur me regjimin e vjetër në Shqipëri.

Aludimet ishin për të njollosur profesor Repishtin, edhe pse ai ishte një ish i burgosur dhe arratisur prej komunizmit nga Shqipëria.

“Lidhur me kërkesën tuaj për t’u takuar me ambasadorin në datën dhe orën që ju fiksoni, ai më ka kërkuar t’ju njoftoj se e ka të vështirë të presë përfaqësuesit e një Këshilli jo kredibël në sytë e opinionit shqiptar, për shkak të pjesëmarrjes në të të disa personave të komprometuar nga lidhjet e tyre me regjimin e mëparshëm.

Do t’iu lutesha të ruani konfidencialitetin e kësaj letre.”

Kjo përgjigje ishte ajo çfarë Sali Berisha mendonte për përfaqësinë e re të diasporës shqiptare në SHBA.

Pas 25 vjetësh, historia po përsëritet. Sali Berisha ka disa javë që po tenton të manipulojë opinionin se diaspora shqiptare në SHBA mbështetë Berishën kundër Departamentit të Shtetit, që e ka futur në listë të zezë, duke përdorur për këtë disa njerëz të rëndomtë të klanit të tij që kanë zaptuar “Vatrën”.

Si për ta shfryrë këtë legjendë, ambasadorja Yuri Kim ka pritur dje një përfaqësi të një organizate të re në SHBA, të quajtur “Kongresi Pan-Shqiptaro-Amerikan”, i cili ndryshe nga fosilizimi i “Vatrës”, po përpiqet të jetë i hapur me çdo qeveri në Shqipëri dhe Kosovë, për të ndihmuar në koordinimin e diasporës me trojet e tyre.

Nuk jam i sigurtë sa seriozë janë në organizim dhe a kanë një infrastrukturë komunikimi me Departamentin e Shtetit, por e vetmja vlerë që ka organizimi i diasporës në SHBA, është që të jetë institucion përfaqësues për shqiptarët pranë qeverisë së SHBA, dhe jo celulë e një partie shqiptare, në Kosovë apo Shqipëri, kundër SHBA, siç po ndodh me hirin që ka mbetur nga “Vatra” e dikurshme e Nolit dhe Konicës.

Tani me siguri që Berisha do të përpiqet t’i etiketojë dhe këta si njerëz të Sigurimit apo të Sorosit, por kjo nuk shqetëson më njeri. E rëndësishme është që atij t’i tregohet se është i rrethuar gjithandej. Edhe tek zhytet tek hiri i “Vatrës” që shpreson ta ngrohë në këto ditë të acarta për të.




Skip to toolbar