Meta kapet pas dekretit: Juncker e ka gabim, zgjedhje s’mund të ketë

AKTUALITET


Presidenti i Repbulikës Ilir Meta ka folur në një intervistë për transmetuesin “Al Jazeera”, ku ka shprehur bindjen se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. “Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe të gjithë kanë detyrimin ta zbatojnë atë”, ka thënë ndër të tjera Meta. Për gazetarin John T. Psaropoulos, Ilir Meta ka thënë se dekreti për anulimin e zgjedhjeve ka hyrë në fuqi dhe duhet të zbatohet nga të gjitha palët. Ndërsa, lëvizjen e tij, e ka argumentuar si të nevojshme për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në vend.

Ky vendim i shërben paqes sociale, stabilitetit, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm e të pakontrolluar të situatës, që mund të çojë në një përplasje civile në vend ashtu siç edhe ju e keni parë gjatë zhvillimeve të muajit të fundit, sepse zgjedhjet pa opozitën, jo vetëm minojnë stabilitetin e vendit, por gjithashtu çdo shans pozitiv që Shqipëria të bëjë hapa përpara në procesin e çeljes së negociatave me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Meta.

Partia për Unitet Kombëtar e Idajet Beqirit, pritet të dërgojë në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KQZ-së për mos çregjistrimin si parti politike nga zgjedhjet e 30 qershorit. Në këtë mënyrë, në rast se Kolegji Zgjedhor lë në fuqi vendimin e marrë nga KQZ pak ditë më parë, atëherë merr miratimin e parë ligjor mbajtja e zgjedhjeve më 30 qershor, dhe rrëzohet dekreti i kreut të shtetit. Por, Ilir Meta shprehet se dekretin e anulimit të zgjedhjeve, në kushtet aktuale, nuk mund të kontestohet nga asnjë gjykatë tjetër në vend, veç Gjykatës Kushtetuese.

I vetmi autoritet suprem që mund të shqyrtojë këtë dekret është Gjykata Kushtetuese, por ajo për të cilën dëshiroj t’ju siguroj është se ky diskutim dhe ky debat është humbje kohe, pasi ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare. Tani në këto kushte ky dekret nuk mund të kontestohet nga asnjë gjykatë tjetër në vend. Dhe sigurisht, është një dekret që unë e kam firmosur para qytetarëve shqiptarë, duke marrë të gjitha përgjegjësitë për atë veprim”, ka thënë Meta.

Zhvillimi i zgjedhjeve më 30 qershor ka pasur miratimin e faktorit ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian. Megjithatë, Meta, në intervistën për “Al Jazeera” është shprehur se Juncker nuk është informuar siç duhet për zgjedhjet e 30 qershorit.

Jam i sigurt se ai nuk është informuar siç duhet për faktin se zgjedhjet e 30 qershorit praktikisht, ose në thelb janë thjesht votime dhe jo zgjedhje, sepse janë zgjedhje pa opozitën. Jam i sigurt se ai nuk është plotësisht në dijeni të gjithë situatës.Në këtë drejtim, ajo që ju thoni është korrekte, por tani nuk është më përgjegjësi e Komisionit Europian, sepse ky Komision e ka bërë tashmë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë. Tani ky vendim do të merret në nivelin më të lartë të politikës europiane dhe mesazhet janë të qarta se zgjedhjet pa opozitën nuk ndihmojnë progresin europian të Shqipërisë”, ka thënë ndër të tjera Meta.

Intervistën e plotë te Ilir Metës e lexoni KËTU



Skip to toolbar