Meta si “ushtar Garde”: Ambasadorët palaço, unë roje e Republikës

AKTUALITET


Pas shkarkimit të Besnik Muçit nga Kushtetuesja, Presidenti Ilir Meta është shfaqur përpara gazetarëve duke bërtitur dhe duke sulmuar diplomatët të cilët i ka quajtur palaço, ndërsa ka deklaruar se ai është ushtari i parë i Republikës që do ta mbrojë atë. Meta nuk përmendur emra por ka thënë se disa diplomatë janë palaço, por SHBA është “si shpirt”, megjithëse deklarata e tij vjen pikërisht kur ambasada e SHBA kërkoi që ngërçi për Gjykatën Kushtetuese të zgjidhet nga Venecia, ndërsa një natë më herët Meta mori një telefonatë nga Palmer, e cila çuditërisht nuk është zbardhur nga presidenca. Madje Meta thotë se ata që kërkojnë që kjo çështje të shkojë në Venecia janë hipokritë. “Hipokritët që duan të çojë këto akte në Venecia, ata janë hipokritë, sepse duhet të çonin zgjedhjen e Arta Markut me 69 vota në kundërshtim me Venecian, tani duan të shpëtojnë Dvoranin, pasi ka pasur garanci edhe nga disa palaçove ndërkombëtarë për të përdhunuar të gjithë procesin e KED-së”, tha presidenti.

Ndërsa në lidhje me shkarkimit e Muçit nga KPA, Meta tha se vendimi nuk ishte suprizë, ndërsa akuzoi maxhorancën për presion. “Zero surprizë nga vettingu i partisë. Vettingu i partisë u shpall para pak ditësh. Nuk jam i habitur se që ditën e parë që ka hyrë në zyrë ka pasur presione politike, që të bëhej pjesë e puçit për të penguar zonjën Marsida Xhaferllari për të ushtruar detyrën e saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk i bëj presion askujt. Nqs doni emra, nuk besoj se keni harruar deklaratën e zotit Xhafaj, i maxhorancës është, i cili i bëri presione dhe shantazhe anëtares së Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, e cila jo vetëm kaloi vettingun e para por edhe ka qëndruar me sforco në atë detyrë për të mbajtur hapur derën e Gjykatës Kushtetuese të cilën e bllokoi Edi Rama me disa palaço ndërkombëtarë të cilët kujtojnë se mund të tallen me popullin e Shqipërisë”, deklaroi Meta.


I pyetur nga gazetarët se a janë SHBA-të palaço, Meta u shpreh: “SHBA janë si yll si shpirt se me ata i kemi bërë Kushtetutën. Presidenti është në kushtetutë dhe jo në rregulloren e ndonjë ambasade. Prandaj i kam ftuar të vijnë me ekspertët e tyre dhe t’u tregoj kushtetutën e Shqipërisë”, tha ai duke dhënë si zgjidhje zhvillimin e një referendumi por pa shpjeguar se përse.

“Ka vetëm një zgjidhje për Ramën dhe disa palaço ndërkombëtarë, referendumi. Edhe diplomatët të dalin me Ramën. Unë do të dal me të gjithë shqiptarët që duhet të rimarrin në dorë sovranitetin e vendit pasi nesër është dita kur populli shqiptar votoi me referendum Kushtetutën më të mirë pas kaosit në 1997 dhe që Edi Rama dhe disa palaço ndërkombëtar edhe në 2008 edhe më vonë e minuan dhe duan ta përdhoshin çdo ditë. Prandaj larg duart nga gjykata Kushtetuese. Zgjidhja është referendumi për të vendosur. Zgjidhja është referendumi dhe këtë ta vendosin shqiptarët”, përfundoi Meta.

Më herët presidenca i shpalli luftë SHBA-së e cila sugjeroi që ngërçi për Kushtetuesen të zgjidhet nga Venecia. Por presidenca tha se “rruga e Elbasanit të çon në Xibrakë” duke akuzuar Ambasadën për bashkëpunim me Ramën dhe për kapje të drejtësisë, duke thënë se duhet t’i jepet fund “rule of embassy”.




Skip to toolbar