Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zhvilluar një takim mbrëmjen e sotme me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kreu i shtetit ka publikuar në faqen e tij zyrtaren në Facebook një foto ku shfaqet me Kryeministrin e Kosovës në një ambient publik.
“Kënaqësi e veçantë të ndaja sërish me Kryeministrin, Ramush Haradinaj në Durrës pikëpamje mbi sfida të përbashkëta që forcojnë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe perspektivën e përbashkët europiane”, shkruan Presidenti Meta në përshlrimin e fotos.
Publikimi i fotos vjen fill pas mbledhjes së sotme të grupit kordinues të punës mes dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës, që kujdeset për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjet e përbashkëta midis dy qeverive.
Në mbledhjen e sotme u ngritën shumë spekulime, pasi ajo u drejtua nga Zëvendës Kryeministri shqiptar Erion Braçe dhe ai i Kosovës Fatmir Limaj, në mungesë të kryeministrave Rama dhe Haradinaj.
Por, po mbrëmjen e sotme, në “Real Story”, Fatmir Limaj u dha fund spekulimeve për mungesën e Ramës dhe Haradinajt në mbledhjen e sotme.
Limaj saktësoi se kjo nuk ishte mbledhje midis dy qeverive, por e grupit të punës që kujdeset për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara më herët.
Pas publikimit të fotos nga kreu i shtetit shqiptar, të njëjtën gjë ka bërë dhe Kryeministri Haradinaj, i cili e shoqëron dhe me komentin: “Qëndrime unike me Presidentin Ilir Meta për temat me rëndësi për Kosovën e Shqipërinë”, shkruan Haradinaj në postimin e tij.