Rama fton Bashën për Reformën Zgjedhore

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama u ka drejtuar një ftesë publike drejtuesve të partive të opozitës joparlamentare me në krye Bashën. Ndryshe nga takimi i  17 majit, ku Rama u takua dhe bëri marrëveshje vetëm me Bashën, këtë herë kryeministri kërkon takim me të gjithë krerët e partive opozitare. Pra ftesa e tij i drejtohet edhe Kryemadhit, Ndokës, Dules, Dukës, Shehit e Mediut.

Në letrën publike të publikuar në faqen e tij zyrtare në facebook, Rama shkruan se është gati të takohen kurdo dhe kudo për të diskutuar për reformën zgjedhore, ndërsa bën të qartë dhe njëherë se zgjedhjet e ardhshme janë në qershor të vitit 2021. Në këtë mënyrë Rama ia pret shkurt opozitës dhe kërkesës së saj për zgjedhje të parakohshme, duke ia bërë të qartë që në fillim se nuk do ta diskutojë një kërkesë të tillë.


“Ju drejtohem publikisht në përpjekjen për të krijuar një hapësirë dialogu e ndërveprimi mes nesh, lidhur me një sfidë të përbashkët të një rëndësie kombëtare, Reformën Zgjedhore.

Kundërshtitë tona në aspektin politik janë botërisht të njohura dhe pozicionet respektive, në raport me hapësirën institucionale të vendit po ashtu.

Sidoqoftë, përtej skajshmërisë së dallimeve tona, ne as nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe as nuk e zhbëjmë dot ekzistencën e njëri-tjetrit. Pra jemi të dënuar të bashkëjetojmë pavarësisht jopëlqyeshmërisë reciproke, për sa kohë të tjerët, zgjedhësit, na kanë dhënë mandate përfaqësimi, disave për të qeverisur e disave për të bërë opozitë.

Ju vendosët t’i digjni mandatet e hyrjes në Kuvend dhe të vetëpërjashtoheni nga jeta parlamentare e kësaj legjislature. Por gjithësesi, deri në zgjedhjet e qershorit 2021, ju jeni të votuar për të përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë. Prandaj edhe Kuvendi ka rezervuar një vend të posaçëm për ju, në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Procesi ka nisur në Kuvend me opozitën parlamentare dhe do të mbyllet në Kuvend natyrisht, por mungesa juaj ne institucionin më të lartë vendimmarrës të republikës, nuk ju përjashton vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën Zgjedhore. Përkundrazi. Të paktën ky është opinioni im dhe duke vënë re edhe mungesën tuaj në vetë tryezën e Komisionit Zgjedhor, ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat – sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte”, shkruan Rama.

Nuk dihet nëse kjo ftesë e tij e parë do të pasohet nga një tjetër, duke kujtuar se kjo është një taktikë e Ramës, e ndjekur më herët me Bashën, kur para zgjedhjeve të 30 qershorit i drejtoi jo pak por 6 letra, përmes të cilave e ftonte të uleshin dhe të diskutonin për një marrëveshje, në mënyrë që opozita të mos braktiste zgjedhjet. Vetë Basha pak më herët u shpreh për gazetarët të cilët e pyetën për tryezën e thirrur nga OSBE për reformën zgjedhore, se një tryezë e tillë nuk e zgjidh krizën në vend. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Bashës dhe i opozitës së bashkuar në tërësi, lidhur me ftesën e Ramës./realstory.al




Skip to toolbar