Stefano Pioli firmosi kontratën dy vjeçare me Milanin të mërkurën. Ai do të jetë trajneri i ri i skuadrës “Rossoneri”, pas shkarkimit të Marco Giampaolo. Ish-trajneri i disa skuadrave të njohura në Itali, pëfshirë dhe rivalët e përjetshëm të Milanit, Interin, u prezantua të mëkurën nga drejtuesit e klubit milanez. Në fjalët e para të tij si trajner i kuqezinjve, Pioli u shpreh se “skuadra duhet të punojë shumë, për të fituar ndeshje të rëndësishme dhe arritur kualifikimin në Champions League”.
“Kam ndjekur çdo ndeshje të Milanit këtë sezon. Unë jam kërkues ndaj vetes dhe kështu do të jem me lojtarët. Nuk do të tolerojë asnjë mungesë dëshire apo ambicie. Vetëm përmes punës dhe sakrificës mund të bëjmë gjëra të mëdha. Duhet të luftojmë për kualifikimin në Champions League”, tha trajneri.
Stefano Pioli tregoi gjithashtu se ndihej i lumtur për thirrjen që i bëri Milani, për të drejtuar ekipin e parë. Ai u shpreh se e priti me shumë entuziazëm këtë detyrë. “Unë jam i përgatitur për këtë aventurë me shumë entuziazëm dhe pasion. E di që më është bërë ftesë nga një klub i shkëlqyer, një nga më prestigjozët në botë. Jam i sigurt që mund të bëj një punë të shkëlqyer këtu sepse kemi një ekip dhe lojtarë të mirë”, është shprehur Pioli.
Më tej ai foli për filozofinë e lojës, që pritet të aplikojë te Milani. “Dua një futboll pozitiv dhe argëtues, prej të cilit merr më të mirën nga futbollistët. Dua futboll me cilësi dhe intensitet. Karakteristikat e lojtarëve janë të përshtatshme për idetë që unë kam”, është shprehur trajneri i ri i Milanit.