Albinit i duhet të presë. KQZ vendos rinumërim në 303 qendra votimi

KOSOVA


Rezultati përfundimtar për të shpallur fituesin e zgjedhjeve në Kosovë nuk do të dalë shpejt, pasi KQZ ka vendosur rinumërimin e 303 qendrave të votimit për shkak të gabimeve teknike. Këto qendra përbëjnë rreth 12 për qind të gjithë qendrave të votimit dhe rinumërimi mund të sjellë ndryshim të rezultatit paraprak, nga i cili Vetëvendosja ka fituar zgjedhjet me një diferencë afro 5000 vota më shumë se LDK.

Gabimet teknike në numërimin e votave ishin kontestuar nga tre parti, por ankesa e tyre u rrëzua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasi ende nuk ishte shpallur rezultati përfundimtar nga KQZ. Tashmë duket se KQZ ka vendosur vetë të rinumërojë votat në 303 qendra votimi nga 2547 që ishin në total për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.


Të mërkurën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mënyrë unanime ka vendosur që të miratojë rekomandimin e Qendrës së Rinumërimit që të rinumërohen vendvotime, në të cilat ka pasur gabime teknike në formularët në të cilët janë hedhur votat.

Mediat e Kosovës raportojnë se pasi ka folur përfaqësuesi i QNR-së, Burim Ahmetaj dhe anëtarët e KQZ-së, kryetarja e këtij institucioni, Valdete Daka, ka thënë se ka ndodhur gabimi teknik i shtypjes së formularëve. Ajo ka shpjeguar se në ditët në vazhdim do të zbulohet pse ka ndodhur ky gabim, i cili ka shkaktuar çorientim te komisonerët gjatë procesit të numërimit dhe shënimit të votave.

“Formularët janë shtypur gabimisht, i kujt është faji do të zbulohet gjatë ditës së ardhshme, dhe do të dihet pse ka ardhur deri te shtypja e gabueshme. Sekretariati është përgjegjës për shpërndarjen e formularit në të gjithë Kosovën. Subjektet të cilat kanë qenë të renditura në fletë votim dhe janë renditur edhe në formular, subjektit të parë i mungon rubrika dhe për rrjedhojë disa komisionarëve që iu ka ndezur llamba i kanë shkruar me saktësi, ndërsa disa të tjerëve që s’iu ka ndezur, kanë vazhduar prej subjektit të dytë. QNR i ka zbuluar 303 vendvotime ku formularët janë plotësuar në këtë mënyrë dhe si përfundim është që këta formularë nuk mund të procedohen si të tillë, pasi janë plotësuar në mënyrë të gabuar. E kemi rekomandimin e Ahmetajt që të rinumërohen këto 303 vendvotime, sepse janë plotësuar në mënyrë të gabuar. Nuk ka dyshime që janë plotësuar me qëllim, por që ka ndodhë sipas një gabimi teknik”, ka thënë Daka.

Më pas kryetarja e KQZ-së e ka hedhur në votim, dhe rekomandimi është miratuar me shumicë votash në KQZ nga të gjithë përfaqësuesit e partive politike. Dy ditë më herët, LDK, PDK dhe Nisma ngritën pikërisht këtë shqetësim duke kërkuar rinumërim të votave. Dy partitë e para, me qëllim për të kapur më shumë vota se partia fituese e Albin Kurtit Vetëvendosja, ndërsa e treta për të kaluar pragun. Por kërkesat e tyre u hodhën poshtë me pretendimin se nuk ka dalë rezultati përfundimtar. Për këtyre ankesave, Kurti deklaroi se po bëhen manovra për të ndryshuar rezultatin. Kjo çështje krijoi interes pikërisht edhe për shkak të diferencës së vogël mes VV dhe LDK me rreth 5 mijë vota, që mund të sjellë ndryshim në rezultatin përfundimtar. Megjithatë, gjatë së mërkurës, Vjosa Osmani, kandidatja për kryeministre e LDK, e cila doli e dyta në zgjedhje pas VV, deklaroi se do të bashkëpunojë me Kurtin për qeverinë e re.




Skip to toolbar