Minxhozi: PD vazhdon të presë 9 janarin

Më të fundit


Një vit më parë Sali Berisha vendosi të sulmojë me shkallë zjarrfikësesh, hunj, gurë e gjithfarë i erdhi për dore, selinë e partisë që drejtoi për 22 vjet. Njëherësh ai vulosi edhe rikthimin politik me zjarr dhe dhunë, ashtu siç ka ditur përherë të sulmojë shtetin dhe sistemin, për të ruajtur pushtetin personal.

Tetë janari i vitit 2022 mund të jetë, ashtu siç duan ta ironizojnë berishistët, dita e Lul Bravës, por ajo është njëherësh edhe dita e Sali Shkallës. Eshtë dita kur ishi historik i politikës shqiptare bllokoi procesin politik në Shqipëri duke dhënë kudo nëpër rreshtat e politikës mesazhin e moslargimit, të riciklimit dhe të rikthimit të përjetshëm majë kalit. Aty prej nga, siç thoshte dikur një koleg i tij i viteve ’90, Berisha mund të zbresë vetëm kur ta thërrasë i Plotfuqishmi.


Ajo që ndodhi në 8 janar është një tablo tipike e dekadës së parë të pluralizmit shqiptar, e inskenuar me dhunë në dekadën e tretë të shekullit. Ky rikthim i vrazhdtë u prodhua me frymëzimin dhe regjinë personale të atij që na ka mbajtur prej 32 vjetësh në trajektoren e trazuar të viteve ’90, të atij dhjetëvjeçari të cilit i dha formën dhe pamjen e ideve të tij të dhunshme poltike. Sali Berisha sulmoi një vit më parë selinë e Partisë Demokratike sepse në thelb ai nuk di të bëjë diçka tjetër. E bëri këtë gjë i paprovokuar në thelb nga Lulzim Basha, të cilit i dha votëbesimin edhe pasi humbi zgjedhjet e fundit parlamentare. E sulmoi partinë pasi i duhej një zyrë, një podium dhe një shkresë me kokë, prej nga të vijonte sfidën me Amerikën.

Tetë janari, në fjalët e Berishës dhe Foltores, ishte fillimi i bashkimit të demokratëve. Dimë sot, pas një viti, se Doktori dështoi në misionin e tij të përsëritjes së vitit 2005, kur bashkoi edhe mocionistët, edhe selamistët, edhe të gjithë izmat e tjera të të djathtës, për të krijuar një front të përbashkët që i dhë shtysën jashtë pushtetit Fatos Nanos.

Berisha i sotëm, krejt ndryshe nga ai i 17 viteve më parë, kontestohet nga 71 përqind e shqiptarëve. Një shifër negative e cila ka brenda pa më të voglin dyshim, edhe atë që ndodhi një vit më parë, kur Doktori drejtonte personaliosht azapët që mësynin muret e zyrave të PD. Një vit pas marrjes së partisë dhe heqjes së dyerve prej llamarine të cilat nuk e mbrojtën dot karrierën e ish-delfinit të Berishës, Lulzim Bashës, nga fryma dhe pritshmëritë e ditëve të para të Foltores ka mbetur shumë pak. Protestat e vjeshtës, të cilat do të rrëzonin Edi Ramën, as u panë, as u dëgjuan kund. Opozitarizmi televiziv i Berishës dhe Metës, me fjalorin e egër dhe kërcënimet në seri, u mpak e u tkurr në protesta të vogla si ajo e 6 dhjetorit, kur e gjithë opozita mundi të mbushë vetëm sipërfaqen e urës së madhe të Lanës.

Përçarja e 8 janarit vazhdon të mbetet aty, edhe pse zyrat në PD nuk kanë më dyer të blinduara dhe megjithëse Berisha është bërë de facto pronari i tyre i pakontestueshëm. Opozita është bërë më e ashpër, por edhe më e vogël. Sepse kalorësit e 8 janarit sollën vërtet me vete frymën e dekadës së sherrit, viteve ’90, por harruan se çdo gjë në këtë botë ka një fillim dhe një fund. Ashtu si karriera e krerëve të kësaj kryqëzate politike që kërkojnë ta mbajnë me dhunë Shqipërinë në kthetrat e tranzicionit. PD e tetë janarit vijon të endet në fatalitetin e asaj dite, pa ja dalë dot të grisë faqen në kalendar. Nëntë janari nuk ka ardhur ende për demokratët dhe nuk dihet si do të jetë kur të vijë vërtet.




Skip to toolbar