Mitsotakis: Duam marrëdhënie të mira me Shqipërinë

AKTUALITET


Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar një konferencë me gazetarët, ku ka folur edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë. I pyetur për marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama pas përplasjeve për çështjen e Fredi Belerit, ai tha se “duam marrëdhënie të mira me fqinjët, përfshirë Shqipërinë”.

“Ne duam marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët tanë, përfshi edhe Shqipërinë. Kaluam një periudhë të vështirë dhe nuk dua të flas me detaje për rastin e Fredi Belerit. Dua të shpreh kënaqësinë time për faktin që ai ishte me ne në Panairin Ndërkombëtare dhe që kjo aventurë krejtësisht e padrejtë dhe e panevojshme që ai kaloi, më në fund mbaroi.

Më lejoni të them edhe një herë se marrëdhëniet, duke parë imazhin e gjerë , pra marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, që ne duam të jenë shumë të mira, kalojnë nga respektimi i të drejtave të pakicës kombëtare greke të Shqipërisë.

Çështja e të drejtave pronësore nuk ka dalë asnjëherë nga axhenda jonë. Ajo po rikthehet dhe ajo që ne do të bëjmë është të sigurojmë, me ndihmën edhe të Fredi Belerit në Parlamentin Europian, që të drejtat pronësore të bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri të respektohen plotësisht. Dhe do të thosha se ky është një kusht i domosdoshëm që Shqipëria të vazhdojë të ecë në rrugën e saj europiane”.



Skip to toolbar