Mitsotakis humb Athinën dhe Selanikun, disfatë në zgjedhje për të djathtën greke

AKTUALITET


Një disafatë të rëndë ka pësuar partia e kryeministrit Kyriakos Mistotakis, “Demokracia e re”, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që u zhvilluan ditën e dielë.

Sipas të dhënave nga numërimi i 95% të kutive të votimit, partia e kreut të qeverisë ka humbur bashkitë e Athinës dhe Selanikut, dy më të mëdhatë e vendit.

Për bashkinë e Athinës, fitues është shpallur Haris Dukas i mbështetur nga PASOK. Ai ka marrë rreth 55.9% të votave kundrejt 44.01% të kryebashkiakut aktual, Kostas Bakojanis i “Demokracisë së re. Në Selanik, fitues me 67% të votave u shpall, Stelios Angeloudis, që kandidoi si i pavarur, por i mbështetur nga PASOK. Ai mundi Konstantinos Zervas, të mbështetur nga qeveria.

Pas publikimit të këtyre rezultateve, kryeministri Mitsotakis pranoi disfatën dhe u angazhua se do të bashkëpunojë dhe me krerët e bashkive që nuk u fituan prej tij.

“Nuk ishte një natë e mirë për “Demokracinë e re”, por konkluzionet do t’i nxjerrim më vonë. Dua të përgëzoj të gjithë drejtuesit dhe kryetarët e bashkive që u zgjodhën dhe t’i siguroj se është detyrë e qeverisë të bashkëpunojë me ta. Presim një bashkëpunim të frytshëm dhe produktiv”, tha mes të tjerash kryeministri grek.



Skip to toolbar