Mos e fyeni Albinin si çlirues të Kosovës nga Shqipëria

AKTUALITET


Nga Mero Baze

Ka një përpjekje nga një rreth opinionistësh të fushatës pro Kurtit, për të konsideruar fillimin e qeverisjes së tij, si një qeverisje kundër ndikimit të Shqipërisë në Kosovë. Për mua ky është një lajm i mirë dhe do t’ia dëshiroja çdo kryeministri të Kosovës. E vetmja mënyrë që Kosova të bëhet shtet serioz, i pranueshëm dhe i besueshëm, është të zhvillojë një identitet shtetëror e administrativ ndarazi me Shqipërinë, për t’i bindur të gjithë, se ja ka vlejtur njohja dhe pranimi si shtet. Kjo ka qenë idea e themeluesit të shtetit të Kosovës, presidentit të parë të saj, Ibrahim Rugova.

Rugova e kishte distancimin nga Shqipëria një diemension natyral. Ai e donte Shqipërinë, e çmonte atë, por nuk e përziente me Kosovën. Berishën e mbajti larg deri sa vdiq dhe nuk e priti në Kosovë, ndërsa socialistët i shikonte si njerëz në punë të tyre, me të cilët nuk donte të kishte punë. Dhe nuk e bënte se e bezdisnin si personalitete, por kishte bindjen se Kosova do të mund të formonte personalitetin e saj shtetëror ndarazi Shqipërisë. Për këtë u mallkua shumë, u fye, u poshtërua, dhe pse jo, disa herë dhe u tentua të eleminohej fizikisht.

Ndër ata që ka tentuar ta poshtërojë për këtë prirje të tij, ka qenë dhe Albin Kurti. Duke tentuar të formojë personalitetin e tij si politikan pro bashkimit me Shqipërinë dhe si një njeri që e bezdiste trendi i një identeteti të ri shtetëror të Kosovës, Albin Kurti e ka pasur target sulmesh Rugovën, pikërisht për këtë identitet të tij politik. Dhe e kishte këtë me gjeste konkrete, me mospranim të Rambujes, mos pranim të pavarësisë, mos pranim të flamurit, mos pranim të ekipit të futbollit etj. Nuk mund ta gjykosh për këtë gjë, se është zgjedhje politike dhe duhet pranuar siç është.

Dhe 25 për qind e Kosovës,  e pranuan kështu Albinin. Tani lexova një ditë më parë një koment të Berat Buzhalës, që befas na paraqet një Albin tjetër, një Albin që “do t’i vërë kufirin tek thana” Shqipërisë dhe Edi Ramës, që do tregojë personalitetin e Kosovës ndaj Shqipërisë, dhe ca gjëra entuziaste rreth formimit të tij kulturor, të cilat nuk ja vlen të debatohet. Ky është një lajm i mirë, nëse Albini ka vendosur të ndryshojë kauzë e të bëhet politikan kosovar, që do të zhvillojë një identitet të Kosovës dhe të mos lejojë varësi të Kosovës nga Shqipëria.

Thjesht duhet korrigjuar, që nëse ka vendosur ta bëjë këtë, nuk është i pari, por është idhtar i Ibrahim Rugovës. Kjo mund t’ia forcojë dhe më shumë besimin në bashkëpunimin me LDK, që ende po mëdyshet. Nëse është i vërtet opinioni i Buzhalës dhe e besoj që është i vërtetë, se ka qenë mbështetës i tij në fushatë, atëhere Kurti duhet ta nisë kauzën e tij të re, duke shkuar tek varri i Rugovës, qysh i kanë adetet politikanët në Kosovë, duke vënë aty një tufë lule, e duke u betuar se do ta ndjekë veprën e tij. Me këtë rast është i mbrojtur dhe nga pikëpamja kulturore me Shqipërinë, se Rugova ka mbaruar Sorbonën dhe jo shkolla lulishtesh e bodrumesh.

I vetmi problem është të sqarojë mbështetësit e tij, se nuk ka më kauzë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por çlirimin e Kosovës nga Shqipëria dhe Edi Rama. Nuk ka nevojë të bëjë luftë për këtë, se e ka të tuar brenda ditës pa hedhur asnjë armë. Boll ta kërkojë. Por nëse Albini nuk ka ndërruar ende kauzë dhe mendje, mos e fyeni, se duket si budalla që e përdorni dhe për komplekset tuaja të inferioritetit me Edi Ramën. Ka boll të vetat dhe mund t’i nxjerrë vetë. S’ka nevojë të keqpërdoret për të hequr komplekset e dikujt ndaj Shqipërisë, Edi Ramës, Sali Berishës, apo kujtdo ndaj të cilit ndjehet inferior përtej kurit



Skip to toolbar