Ndihmoi grabitësit në Rinas, arrestohet punonjësi i aeroportit

AKTUALITET


Policia njofton se ka arrestuar të shtunën një tjetër person për grabitjen e parave në Rinas. Bëhet fjalë për shtetasin Hasan Kanaçi që i ndihmoi nga brenda aeroportit grabitësit dhe që ishte punonjës në pjesën cargo, aty përpunohen paratë dhe mallrat.

Dyshohet se personi ka njoftuar për futjen e parave në pistë, orarin dhe lëvizjet. Mësohet se prokurorët janë duke marrë në pyetje pjesëtarë të stafit në aeroport.

Nga ky hetim është zbuluar edhe përfshirja e personave të tjerë të cilët tashmë janë shpallur në kërkim.

Në grabitjen e ndodhur në Rinas në datën 9 prill u morën miliona euro në vetëm pak minuta, teksa grabitësit u futën në pistë me një fugon të modifikuar ‘hetimi tatimor’.

Pas largimit të grabitësve gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë u vra Admir Murataj i cili dyshohet se ishte edhe organizatori i grabitjes.

Deri më tani policia ka vënë në pranga 6 persona të dyshuar si të përfshirë në grabitje, Ragip Hajdini, Elton Pikli, Alkond Bengasi, Renaldo Sulaj, Oltjan Veseli dhe Saimir Cela dhe janë shpallur në kërkim Klement  dhe Eldi Çala.

Njoftimi i Policise

Vihet në pranga një tjetër i dyshuar si bashkëpuntor në ngjarjen e datës 09.04.2019 ku u vodhën me armë nje sasi e kosiderueshme vlerash monetare në Aeroportin e Rinas.

Sekuestrohen sasi të konsiderueshme vlerash monetare në valutë (euro, paund, dollarë) dhe në lekë.

Nga Sektori për Krime të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë për Krime të Rënda, në bazë të veprimeve hetimore të kryera, informacioneve të marra në rruge operative si dhe provave të siguruara gjatë hetimit, është bërë i mundur zbulimi, dokumentimi dhe ndalimi një tjetri autor të dyshuar të kësaj ngjarje kriminale e konkretisht i shtetasit:

• H.K., 48 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Jane sekuestruar në cilesinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme vlerë monetare në valutë dhe në lekë.

Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë për Krime të Rënda Tiranë për veprat penale “Vjedhje me armë kryer në bashkëpunim” ” Grupi i strukturuar kriminal” ” Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta” ”Mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake” “ Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”



Skip to toolbar