Viti nis me bilanc negativ, 10 grabitje me maska për 2 javë

Policia e Shtetit njoftoi të mërkurën në 22 janar se kishte arrestuar një 36-vjeçar në Shkodër, i cili ishte kapur në flagrancë për vjedhjen e një banese. Kjo është vetëm ngjarja e fundit e regjistruar, e grabitjes së banesës nga hajdutët. Por, Realstory.al bëri një vëzhgim të ngjarjeve të kësaj natyre që kanë ndodhur gjatë fillimit të këtij viti në vendin tonë. Nga vëzhgimi, bazuar në njoftimet e Policisë së Shtetit, rezulton se janë regjistruar mbi 10 grabitje të ndodhur në harkun kohor të dy javëve. Gjithashtu, rezulton se në të paktën dy raste, grabitjet e banesave kanë përfunduar me ngjarje të rënda.

Më e rënda prej tyre ishte ajo e shënuar në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, ku në datën 5 janar, tre të rinj u futën për të vjedhur në banesën e shtetases Drita Saliaj. Por, autorët jo vetëm vodhën, por përdhunuan dhe masakruan për vdekje 50-vjeçaren Dritan Saliaj, trupin e së cilës e hodhën në një rezervuar. I përfshirë në këtë ngjarje të rëndë ishte dhe nipi i burrit të viktimës. Ngjarja u zbardh nga policia, ndërsa tre të rinjtë u arrestuan dhe tashmë po përballen me drejtësinë.


Një tjetër rast po me pasoja të rënda ishte ai i ndodhur pak ditë më parë në zonën e Alliasit në Tiranë. Dy persona u futën në banesën e bashkëshortëve Laze, duke tentuar të vjedhin këtë banesë. Mirëpo grabitësit hasën me të zotët e shtëpisë duke shkrehur armën ndaj çiftit Petrit dhe Afërdita Laze, të cilët mbetën të plagosur rëndë. Policia ka shpallur në kërkim dy autorët, ndërsa deri më tani është bërë vetëm identifikimi i njërit prej autorëve.

Vjedhjet me dhunë nuk kanë ndodhur vetëm nëpër banesa, por edhe në rrugë apo lokale. Të martën më 21 janar, Policia e Korçës njoftoi se kishte prangosur katër shtetas, të cilët dhunuan dhe grabitën disa shetas të huaj. Gjithashtu, grupi i përbërë nga katër të rinj të moshës 19 vjeç, kishte kryer edhe vjedhje të tjera me dhunë, ku në fokus kishin pikërisht shtetasit e huaj, kryesisht emigrantë të ardhur nga vendet e Lindjes së Mesme.

Po në datën 21 janar, Policia e Krujës njoftoi se zbardhi një tjetër grabitje me dhunë. Dy të rinj i grabitën xhiron ditore kamarierit të një lokali, duke e kërcënuar me armë. Një nga grabitësit u arrestua në fshatin Cudh të Krujës, ai ishte shtetasi me inicialet A.K., 24 vjeç. Gjithashtu, këtij shtetasi iu sekuestrua dhe dy armë zjarri pistoletë gjatë momentit të arrestimit. Për këtë ngjarje, është shpallur dhe një tjetër person në kërkim.

Mëngjesin e të hënës në 20 janar, tre persona, ende të paidentifikuar, grabitën një pikë karburanti në qytetin e Bilisht. Tre persona, kanë vjedhur xhiron ditore të një pike karburanti në dalje të qytetit të Bilishtit. Grabitësit kanë kërcënuar rojën dhe punonjësit e karburantit, duke kryer grabitjen. Ata kanë arritur të marrin rreth 160 mijë lekë dhe 160 euro. Policia është duke hetuar ngjarjen, ndërsa ka sekuestruar kamerat e sigurisë së karburantit.

Ndërkohë, të dielën në 19 janar, Policia e Elbasanit njoftoi arrestimin e një personi nga Durrësi, që u kap në flagrancë duke vjedhur makina luksoze në këtë qytet. 30-vjeçari me inicialet A.P., ishte autor i vjedhjes së disa makinave luksoze në Elbasan, ndërsa po hetohet edhe për vjedhjen e makinave të tjera në qytetin e Durrësit.

Në datën 18 janar, Policia e Shtetit njoftoi prangojsen e dy adoleshentëve, I.L., 14 vjeç dhe K.S., 16 vjeç, autor të disja vjedhjeve. Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe dy 14-vjeçar të tjerë.  Këta të rinj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgjatë natës kanë kryer të paktën nëntë vjedhje në lokale dhe biznese të ndryshme në Tiranë, duke marrë shuma të konsiderueshme lekësh.

Në datën 16 janar, Policia e Tiranës arrestoi një 34-vjeçar, autor i vjedhjes së pajisjeve elektronike në dyqane të ndryshme të kryeqytetit. Në pranga u vu shtetasi me inicialet E.C., 34 vjeç nga Tirana, i cili kishte vjedhur disa laptop në disa dyqane të ndryshme në kryeqytet.

Po në këtë datë, në Tiranë u arrestua një 19-vjeçar që po udhëtonte me një mjet të vjedhur në Elbasan. Ai u kap në flagrancë në tentativë për të vjedhur aksesorët e një mjeti, njoftoi policia. Pas arrestimit, u zbardhën edhe 7 vjedhje të tjera të kryera nga i riu në bashkëpunim me persona të tjerë. Ky i ri, së bashku me të tjerë, kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme lekësh në biznese të ndryshme, sende me vlerë apo dhe celularë.  

Në datën 12 janar, Policia e Shtetit njoftoi se vuri në pranga dy persona në Kavajë, pasi u kapën në flagrancë duke kryer vjedhjen e një banese. Pas arrestimit të shtetasve Q.K., dhe A.H., të dy në moshën 26 vjeç, policia zbardhi se ata ishin autorë të vjedhjes së 11 banesave në Kavajë.

Këto janë disa nga vjedhjet e raportuara nga Policia e Shtetit, shumë prej të cilave janë zbardhur. Ajo që vihet re, është fakti se në shumë raste vjedhjet janë kryer nga të rinj të moshës nën 30 vjeç. Gjithashtu, në objektivin e grabitësve janë banesat, ku në dy raste ngjarjet kanë përfunduar me pasoja, si humbje jete apo plagosje e rëndë. Një tjetër fakt është se grabitetjet më të shumta janë raportuar në qarkun e Tiranës, e kryesisht në kryeqytet. /Realstory.al/


Kërcënojnë rojën dhe punonjësin, tre persona grabisin karburantin në Bilisht

Një pikë karburanti është grabitur të hënën në mëngjes në qytetin e Bilisht, ndërsa ngjarja është raportuar vetëm një ditë më pas.

Tre persona, ende të paidentifikuar nga policia, kanë vjedhur xhiron ditore të një pike karburanti në dalje të qytetit të Bilishtit. Ngjarja ka ndodhur rreth orëve të para të mëngjesit.


Grabitësit kanë kërcënuar rojën dhe punonjësit e karburantit, duke kryer grabitjen.

Ata kanë arritur të marrin rreth 160 mijë lekë dhe 160 euro. Policia është duke hetuar ngjarjen, ndërsa ka sekuestruar kamerat e sigurisë së karburantit.


Maskat shfaqen në Tiranë, grabisin një agjenci kredish

Një grabitje me maska ka ndodhur në mes të ditës në Tiranë, në një zonë mjaft të populluar. Gjatë mesditës së martë një person i armatosur dhe me maskë ka grabitur një zyrë financiare që shërbente për dhënie kredish në shuma të vogla. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Muhamet Gjollesha” në zonën e “Zogut të Zi”.

Autori ka qenë i maskuar dhe nën kërcënimin e armës tip pistoletë ka marrë një sasi të konsiderueshme parash. Pas vjedhjes ai është larguar me vrap. 


Efektivët e policisë “Shqiponjat”, Patrulla e Përgjithshme dhe Forca e Posaçme Operacionale e DVP Tiranë janë vënë në ndjekje të autorit.


Detaje të reja nga ngjarja në Rinas: Autorët 3 muaj prova për të kryer grabitjen

Grabitja e 4.6 milionë eurove në aeroportin e Rinasit ishte një ngjarje që bëri bujë të madhe dhe u shoqëruar me arrestimin e disa personave. Megjithatë ende nuk dihen shumë detaje në lidhje me organizmin dhe ndarjen e detyrave që kanë pasur pjesëtar të ndryshëm të grupit kriminal.

Aktualisht ngjarja po hetohet nga prokurorët Besnik Muçi, Arenc Çela dhe Klodian Braho, të cilët janë duke ekzaminuar ADN e autorëve për të përcaktuar rolet e tyre gjatë grabitjes në Rinas.


Provat e gjetura në fugonin e pa djegur, si bidona me benzinë, armë automatik, telefon celular, pishtar për vënie flake, rroba të autorëve të dyshuar, karton dhe gjurmë gishtërinjsh, tashmë do t’i nënshtrohen analizës së ADN-së për të mësuar rolin e gjithsecilit prej tyre raporton Report TV.

Grabitja e Rinasit ndodhur më 9 prill dyshohet se është programuar për plot 3 muaj me radhë nga marrja e fugonit në Kosovë, modifikimi i tij në Elbasan deri tek shikimi i filmave me grabitje dhe bërja e provave nga pjesëtarët e grupit pak ditë para se të ndërhynin në pistë.

Si autorë të grabitjes në Rinas u arrestuan  Ragip Hajdini i njohur me nofkën “Daja”, Elton Pikli, Alkond Bengasit, Renaldo Sulajt, Oltjan Veselit, ndërsa Klement, Saimri Cala dhe Talo Çela janë shpallur në kërkim.

Një tjetër i arrestuar si bashkëpunëtor i grupit të grabitjes është Hasan Kanaçi shefi i veprimeve cargo në pistën e Rinasit që kujdesen për ngarkim shkarkimin e mallrave në avion.

Grupi u zbulua pasi i arrestuari Alkond Bengasi, pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë. Nga grabitja mbeti i vrarë kreu i grupit kriminal,  Admir Murataj , i cili kërkohej prej kohësh nga policia.


Ndihmoi grabitësit në Rinas, arrestohet punonjësi i aeroportit

Policia njofton se ka arrestuar të shtunën një tjetër person për grabitjen e parave në Rinas. Bëhet fjalë për shtetasin Hasan Kanaçi që i ndihmoi nga brenda aeroportit grabitësit dhe që ishte punonjës në pjesën cargo, aty përpunohen paratë dhe mallrat.

Dyshohet se personi ka njoftuar për futjen e parave në pistë, orarin dhe lëvizjet. Mësohet se prokurorët janë duke marrë në pyetje pjesëtarë të stafit në aeroport.


Nga ky hetim është zbuluar edhe përfshirja e personave të tjerë të cilët tashmë janë shpallur në kërkim.

Në grabitjen e ndodhur në Rinas në datën 9 prill u morën miliona euro në vetëm pak minuta, teksa grabitësit u futën në pistë me një fugon të modifikuar ‘hetimi tatimor’.

Pas largimit të grabitësve gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë u vra Admir Murataj i cili dyshohet se ishte edhe organizatori i grabitjes.

Deri më tani policia ka vënë në pranga 6 persona të dyshuar si të përfshirë në grabitje, Ragip Hajdini, Elton Pikli, Alkond Bengasi, Renaldo Sulaj, Oltjan Veseli dhe Saimir Cela dhe janë shpallur në kërkim Klement  dhe Eldi Çala.

Njoftimi i Policise

Vihet në pranga një tjetër i dyshuar si bashkëpuntor në ngjarjen e datës 09.04.2019 ku u vodhën me armë nje sasi e kosiderueshme vlerash monetare në Aeroportin e Rinas.

Sekuestrohen sasi të konsiderueshme vlerash monetare në valutë (euro, paund, dollarë) dhe në lekë.

Nga Sektori për Krime të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë për Krime të Rënda, në bazë të veprimeve hetimore të kryera, informacioneve të marra në rruge operative si dhe provave të siguruara gjatë hetimit, është bërë i mundur zbulimi, dokumentimi dhe ndalimi një tjetri autor të dyshuar të kësaj ngjarje kriminale e konkretisht i shtetasit:

• H.K., 48 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Jane sekuestruar në cilesinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme vlerë monetare në valutë dhe në lekë.

Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë për Krime të Rënda Tiranë për veprat penale “Vjedhje me armë kryer në bashkëpunim” ” Grupi i strukturuar kriminal” ” Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta” ”Mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake” “ Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”


Kapet në Rinas me 26 mijë euro, arrestohet 38-vjeçari

Një 38 vjeçar është vënë sot në pranga nga Policia kufitare e Rinasit pasi u kap duke kaluar 26 mijë euro pa i deklaruar në doganë.

Policia njofton se “në kuadër të masave të përbashkëta të marra mes Policisë Kufitare dhe autoriteteve doganore për rritjen e masave në drejtim të forcimit të kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, gjatë paradites së sotme është evidentuar dhe goditur një tjetër rast i transfertave të parave në mënyrë të paligjshme jashtë vendit.


Gjatë kontrollit në vijën e dytë të shtetasit J. S. 38 vjeç, i cili do të udhëtonte për jashtë vendit Policia Kufitare në bashkëpunim me doganën, i gjeti këtij shtetasi 26500 euro te padeklaruara në doganën e Rinasit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”.


Shifra zyrtare. Ja sa para u grabitën në Rinas

Nuk kanë qenë 10 milionë euro, por 6 milionë që u grabitën në Rinas më 9 prill. Kjo është shifra zyrtare që ka marrë Prokuroria e Krimeve të Rënda nga tre bankat e nivelit të dytë.

Pas debateve të ndryshme rreth shifrës së saktë se sa para u vodhën në Rinas, Prokuroria e Krimeve të Rënda u dërgoi kërkesë zyrtare bankave për të treguar shumë e saktë të parave të grabitura.


Për grabitjen e parave në Rinas janë arrestuar 6 persona ndërkohë që çështja vazhdon ende të jetë në hetim dhe sipas ministrit të Brendshëm priten arrestime të tjera.


Grabitja e parave në Rinas, Lleshaj paralajmëron arrestime të tjera

Ministri i Brendshëm, Sandër LLeshaj ka paralajmëruar arrestime të tjera për grabitjen e parave në Rinas. LLeshaj ka qenë i pranishëm sot në Kukës për të marrë pjesë në nismën “Ministri një ditë në qark”, ku ka folur për grabitjen e parave në Rinas, ndërsa ka thënë se policia është në kërkim të personave të tjerë, përveç atyre që tashmë janë arrestuar.

“Kjo çështje është ende nën hetim. Megjithëse ka ecur shumë, unë nuk mund të ekspozoj detaje të shumta. Unë them se grupi tashmë i shkatërruar tashmë ka një arkiv të pasur të aktiviteteve  negative kriminale jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë. Procedurat e hetimit vazhdojnë në funksion të zbardhjes dhe kapjes së autorëve. Do të ketë arrestime të tjera. Disa nga krerët e grupit janë arrestuar por ka edhe të tjerë”, tha ministri.


I pyetur në lidhur me protestat e opozitës që tashmë i janë rikthyer bllokimit të rrugëve, Lleshaj tha se është një degradim politik.

“Është e drejta e të gjithëve për të protestuar. Por bllokimi i rrugëve është degradim politik në të gjitha aspektet. Nuk është bllokimi i rrugëve zgjidhje politike. Nuk mund ta mbysësh qeverinë duke bllokuar rrugët, qeverinë e mbyt duke fituar zgjedhjet. Duke bllokuar rrugët mbyten qytetarët. I bëj thirrje opozitës nga Hasi, të kthjellohen e ti thërrasin arsyes dhe të kthehen në rrugët normale të politikës.”, tha ministri Sandër Lleshaj.


Zyrtare, Policia njofton arrestimin e grabitësve të Rinasit. Ja detajet

Policia e Shtetit ka shpërndarë njoftimin për arrestimin e grabitësve të parave në Rinas. Policia njofton se në pranga kanë rënë katër persona si autorë të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.

Personat e arrestuar janë: Oltion Veseli 38 vjeç nga Kruja, Alkond Bengasi, 34 vjeç nga Elbasani por me banim në Tiranë dhe i dënuar më parë për prodhim e shitje lëndësh narkotike, Renaldo Sula 25 vjeç nga Elbasani dhe Saimir Çela 28 vjeç nga Kajani i Elbasanit (i cili njihet edhe me pseudonimin Tale Çela).


Sipas policisë, për arrestimin e këtyre personave janë zhvilluar aksione në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit si dhe është përfshirë një grup i posaçëm hetimor me Specialistët më të mirë të Hetimit të Policisë Tiranë, Policisë së Shtetit, Durrësit e Elbasanit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda.

Ndërkaq, policia ende nuk e ka zbuluar shumën e saktë të parave të grabitura në Rinas, ndërsa thekson se ka prova të shumta për thellimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Akuzat që janë ngritur ndaj të arrestuarve janë:

“Vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal”, ”Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”  “Vrasje e Punonjësve të Policisë “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.

TiranëVazhdon veprimtaria hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 9 prill në Rinas.Në…

Publiée par Policia e Shtetit sur Lundi 22 avril 2019

Grabitja në Rinas, Lleshaj mbledh urgjent drejtuesit e policisë

Mediat televizive të informacionit raportojnë se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj është duke zhvilluar në këto momente një takim në ambientet e ministrisë me drejtues të policisë së Shtetit.

Mësohet se në këtë takim janë të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe drejtorët e qarqeve. Takimi vjen pak orë pasi Lleshaj ishte në qytetin e Vlorës.


Raportohet se ky takim është kërkuar nga vetë ministri për të diskutuar kryesisht për grabitjen e Rinasit, si dhe për analizimin e informacioneve për disa grupe kriminale.


Skip to toolbar