Ndreu e vlerëson Kastriotin sa Partizanin

Më të fundit


“Është ekipi që ka bërë më mirë në këtë periudhë të kampionatit”

Trajneri i Kukësit, Ramadan Ndreu, ka folur në prag të ndeshjes me Kastriotin, që do të luhet ditën e shtunë. Trajneri i ekipit verilindor është shprehur, i kujdesshëm në deklaratat e tij, duke larguar euforinë, pasi sipas Ndreut, Kastrioti është një nga skuadrat, që pas Partizanit, në këtë pjesë të kampionatit ka bërë shumë mirë.

Jo për ta mbrojtur, por në historinë e futbollit ka skuadra që luajnë fort. Në këtë pjesë të dytë të kampionatit, po t’i marrësh pikët, krutanët janë ndoshta pas Partizanit. Të gjitha ekipet poshtë kanë paraqitur futboll dhe mund të humbësh apo ta barazosh me ta”, është shprehur Ndreu.


Më tej, gjatë fjalës së tij, trajneri i Kukësit ka thënë se skuadra e meriton një trofe, pasi ka investuar shumë këtë sezon, dhe nëse kampionati mund të cilësohet çështje e mbyllur për Kukësin, kupa mbetet si alternativa e vetme.

Kuptohet që kampionati ka të tjera vlera. Kjo është një hipotezë. E rëndësishme është që Kukësi të japë maksimumin. Luajmë jashtë dhe kushdo do kishte pasur vështirësi. Jemi afër Kupës dhe jemi një klub që kemi investuar shumë. E meritojmë një trofe, të paktën Kupën”, është shprehur numri një i stolit të Kukësit.

Ndonëse nuk ka arritur të shënojë gol në dy ndeshjet e fundit, Vasil Shkurtaj, sipas trajnerit, është lojtari më i mirë i skuadrës. Ramadan Ndreu shprehet se futbollisti, i ardhur në janar nga Luftëtari, shprehet se nëse Shkurtaj do të gjejë golin, ai mund të bëhet pjesë e kombëtares.

Varet se si e shikoni ju. Për sulmuesin pika kryesore është goli, por mendoj se Shkurtaj në këto dy ndeshje që drejtoj unë është lojtari më i mirë në skuadër. Sidomos me Teutën, që bëri shumë volum. E them me pastërti që ishte më i miri për të dyja skuadrat. Kam besim absolut tek ai. Është në një moment ngërçi. Ai është i fortë dhe potent. Po të shkojë te goli, me potencën që ka mund të bëhet pjesë e kombëtares”, shprehet trajneri i Kukësit.

Në fund, Ramand Ndreu, ka folur dhe për problemet me dëmtimet apo lojtarët e pezulluar. Ai ka thënë se në këtë periudhë koha e rikuperimit është shumë e shkurtër, por do mundohet që t`a mbajë sa më të freskët skuadrën.

“Në këtë ngjeshje të kampionatit, është problem. Koha e rikuperimit është e shkurtër. Jam i paqartë për formacionin. Gjatë kësaj periudhe me ndeshje të ngjeshura do mundohem ta freskoj skuadrën. Kjo është më e mira. Duhet vrapim dhe punë, ndaj këto ndeshje kanë konsumim. Do bëjmë ndryshime”, ka thënë gjatë konferencës për shtyp trajneri i Kukësit, Ramadan Ndreu.




Skip to toolbar