Franca konsultohet me Gjermaninë për negociatat

POLITIKË


Ndërsa dita e vendimit për negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në po afron, duken se edhe shpresat për Shqipërinë po rriten, duke filluar që nga Gjermania, e cila pranoi të japë një po, por me kushte, e deri te Franca, e cila ka konfirmuar se po konsultohet me Gjermaninë për një dritë jeshile për vendin tonë.

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak u shpreh të mërkurën se Parisi po konsultohet me Berlinin, që në fakt tha ‘PO’ duke hapur dritën jeshile për negociatat. “Nuk jam në gjendje të përgjigjem. Autoritet shqiptare e dinë që vendimi do të merret nga autoritetet më të larta. Në kthim nga Nju Jorku, Rama na nderoi me pjesëmarrjen e tij te homazhet për Jacques Chirac. Në Shqipëri e dinë të gjithë se për vendime kaq të rëndësishme zyrtare ka konsultime të gjata. Unë nuk jam në gjendje t’ju them këtë gjë, pasi konsultimet vazhdojnë, mes palëve me njeri tjetrin dhe ato janë konsultime të gjata, dmth në Gjermani. Unë do t’ju kërkoja të merrni parasysh këtë aktivitet kaq të bukur se jeta vazhdon dhe ne do të kemi rastin të flasim për këtë temë qe i intereson të gjithëve më vonë”, tha ambasadorja Christina Vasak për Vizion Plus.


Franca zyrtare deri me tani nuk ka dhënë asnjë sinjal në lidhje me qëndrim që do të mbajë në 15 tetor, por edhe vetë ambasadorja franceze është treguar më skeptike në deklaratat e saj më të hershme për çështjen e negociatave. Më herët, edhe Presidenti Macron është shprehur se përpara zgjerimit Europa ka nevojë për reformim, por konsultimi me Berlinin është shpresëplotë për Shqipërinë, pasi Merkel vendosi të japë dritën jeshile për negociatat. Edhe Holanda ende nuk ka vendosur, por la derën hapur, ndërkohë që Greqia vendosi sot për t’i hapur rrugë negociatave.




Skip to toolbar