Nga Asociacioni, tek ekstradimi i Radoiçiç, Kurti raporton në Kuvend se çfarë ndodhi në Bruksel

KOSOVA


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë, këtë të premte, përpara deputetëve të Kuvendit, për t’i informuar këta të fundit në lidhje me takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel me krerët e Bashkimit Europian dhe draftin e ri të asociacionit që raportohet që t’i jetë paraqitur, por nuk dha detaje të tij, duke u justifikuar se një gjë të tillë ia kanë kërkuar emisarët.

Kreu i qeverisë tha përpara ligjvënësve se propozimi i ri për asociacionin sapo të dakordohet parashikohet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për të parë nëse ka ndonjë shkelje, teksa shtoi se Vuçiç nuk e pranoi atë.

Kurti gjithashtu u shpreh se iu kërkoi liderëve të BE-së më shumë siguri në kufirin në veri me Serbinë dhe ekstradimin e Milan Radoiçiç dhe grupit të tij që organizuan sulmin në Banjskë.

“Qëndrimi i plotë i qeverisë është dhe ka qenë zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj të arritur në Ohër. Ne përshëndetëm planin e ri për të ecur përpara. Plani u soll nga 5 emisarët që u kërkuan më shumë për germën e Kushtetutës sesa për frymën. Më 26 tetor, zhvilluam një takim me krerët e BE-së. Në këtë takim kërkova më shumë siguri në kufi nga Serbia. Kërkova dhe ndëshkimin e Serbisë për sulmin terrorist, pasi në të kundërt mund të përsëritet. Kërkesën për sanksione e kemi për hir të mospërsëritjes. Ne nuk duam që një ngjarje e tillë të përsëritet. Në takim kërkova që Radoiçiçi dhe grupi i tij të ekstradohen nga Serbia në Kosovë, pasi sulmi ndodhi në territorin tonë. Në këtë takim, theksova progresin e Kosovës dhe kërkova statusin e vendit kandidat dhe 5 shtetet që nuk e njohin Kosovën ta bëjnë atë. Ofruam të nënshkruajmë marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit dhe idenë e vetëmenaxhimit të shndërruar në propozim. Nënshkrimi nënkupton pranim dhe pastaj zbatim. Serbia refuzoi nënshkrimin dhe draftin për menaxhim. Ne mirëpresim deklaratën e përbashkët të krerëve të BE-së, për thirrjen për njohjen de facto të Kosovës nga Serbia. Ne duam të ecim përpara”, tha Kurti.



Skip to toolbar