Përplasja e ashpër mes kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta përveçse institucionale, tashmë është kthyer edhe virale në rrjetet sociale.
Deri dje dilnin hapur nëpër konferenca shtypi e sulmonin njëri tjetrin, Meta-Ramën për kapje të shtetit, dhe Rama-Metën për shkelje të Kushtetutës.
Ndërsa kohët e fundit kjo luftë e hapur që ndiqej nga të gjithë, tani është bërë e heshur me kode të fshehta dhe me luftë në rrjet.
E nisën njëherë me garën me not. Çuditërisht kthyen pamjet e vjetra të Berishës që nuk la rekord pa thyer në not. I pari e nisi Rama i cili postoi një video në facebook duke notuar në det por u mjaftua vetëm me një përshëndetje me dorë.
Pas tij, si për inat edhe Meta postoi në facebook video duke notuar në det dhe duke dhënë një mesazh që “noti në det është më i mirë se në pishina”. Një kunj ky për Ramën që nuk i shkoi në takim një ditë para zgjedhjeve, por shkoi në një pishinë prane presidences, pavarësisht se Meta shkoi në zyrë që pa gdhirë, në 5 të mëngjesit dhe kërkonte kompromis një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve.
Pas garës me not, nisi gara me kafshët. I pari këtë herë ishte presidenti Meta, i cili gjatë qëndrimit të tij në Bosnjë, postoi një video me qenin Darko. Duke e mbajtur atë në krahë dhe duke e tundur sikur të ishte foshnje, Meta i çonte përshëndetje maces në Tiranë dhe duke nënkuptuar se po çonte një mesazh të koduar, të cilin askush se deshifroi, tha se “macet me qentë nuk shkojnë mirë”.
Dhe si për t’iu përgjigjur atij, Rama ka postuar këtë të shtunë një foto me një viç, të cilin e përkëdhel dhe shkruan që kjo është fotoja e ditës për të. A thua vallë janë mesazhe të koduara që i çojnë njëri-tjetrit?!
Ajo që dihet deri tani, është se presidenti është në prag të shkarkimit nga parlamenti, ndërsa kryeministri prej disa kohësh është tërhequr në vilën qeveritare në Vlorë dhe “mund” të jetë duke menduar për ndryshime në qeveri, fiks siç bëri dy vite më parë pas zgjedhjeve të 2017. Le të shohim.