Nis ndërtimi i ujësjellësit të ri në Ersekë, Balluku premton 24 orë ujë të pijshëm

AKTUALITET


Ndërtimi i ujësjellësit të ri në Ersekë do të furnizojë me 24 orë ujë të pijshëm mbi 7 mijë banorë të këtij qyteti. Deklarata është bërë nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila së bashku me ministren Spiropali panë nga afër punimet që kanë nisur për ndërtimin e këtij ujesjellësi.

 “E rëndësishme është që 7156 banorë të qytetit të Ersekës do të marrin shërbim më të mirë, por do marrin dhe sasi më të madhe të ujit për frymë, çfarë është dhe synimi, dhe një nga strategjitë tona kryesore për përmirësimin e jetës së qytetarëve, që është strategjia e ujit dhe çfarë është më e rëndësishme, rrjeti do jetë një rrjet i ri, modern i cili nuk do të ketë humbje dhe nuk do të ketë ndotje, ashtu siç ndodhte më parë.  E gjithë kjo është në vazhdimësinë e projekteve për përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ujit që ne kemi dhe do vazhdojmë jo vetëm në këtë zonë por dhe në zona të tjera dhe me ritme të shpejta”, u shpreh Balluku.


Për ministren Spiropali ndërtimi i ujësjellësit të ri për banorët e Ersekës është një premtim i mbajtur teksa falënderoi ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe AKUM për punën e bërë.

“Është një premtim i mbajtur, ne së bashku kemi qenë disa herë në Ersekës, në Kolonjë, në fushatë, është premtim i kryeministrit, premtim i qeverisë shqiptare, që po bëhet realitet. Është një investim i konsiderueshëm, një investim i madh i cili zgjidh përfundimisht çështjen e ujit këtu dhe unë si deputete e zonës dua t’ju falënderoj për punën që është bërë”, tha Spiropali.

Furnizimi me ujë të pijshëm për banorët e Ersekës ka qenë një shqetësim i trashëguar në vite. Rrjeti aktual, për shkak të amortizimit,  ka degraduar duke bërë që edhe humbjet e sasisë së ujit të jenë të mëdha. Me investimin e bërë të gjitha këto probleme marrin zgjidhje.




Skip to toolbar