Nis pa tensione zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi për dokumentet në pikat kufitare

KOSOVA


Të enjten nisi zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi për dokumentet. Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla konfirmoi se nuk po lëshohen dokumentet për hyrje-daljet në kufi.

“Në pikë kalimet kufitare në Merdar, Bërnjak, Dheu i Bardhë dhe në Muçibabë është ndërprerë lëshimi i dokumentit për hyrje/dalje nga ana e autoriteteve të Serbisë. Edhe një sukses në shtrimin e sundimit të ligjit dhe Kushtetutshmërisë në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe mbrojtjen e interesave të shtetasve tanë karshi Serbisë”, shprehet ai në një postim në Facebook.


Të shtunën e kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.

Tashmë qytetarët e dy vendeve mund të udhëtojnë lirshëm  duke përdorur dokumentet e tyre.

Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për qytetarët e Kosovës, e cila solli që edhe kryeministri Albin Kurti të mos vendosë masën e reciprocitetit për qytetarët serbë, ndonëse kishte paralajmëruar që do të vihej më 1 shtator nëse s’do arrihej marrëveshje.

Ndërkohë është ende e pazgjidhur çështja e targave.  Qeveria e Kosovës ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës.  Ndërsa Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, por Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim.




Skip to toolbar