Format i vjetër, format i ri, këto sfida kanë qenë gjithmonë. Ajo që ishte finalja e dy sezoneve më parë, do të jetë sonte një ndeshje grupi në Champions, dhe spektakli duket i garantuar në stadiumin “Etihad”.
Mançester Siti pret Interin, dhe flitet për dy nga ekipet më të mirë të Europës, kampionia e Anglisë dhe kampionia e Italisë. “Qytetarët” vendas janë përgatitur me mendjen vetëm tek fitorja, dhe duke pasur dy lajme të mira. Së pari, trajneri Pep Guardiola nuk ka probleme me dëmtimet e kthehet Rodri, ndërsa largimet e Alvarezit e Kanselos, janë zëvendësuar me Savinjon dhe Gyndoganin.
Së dyti, Erling Haland është në formë të madhe këtë sezon, ka shënuar 9 gola në 4 ndeshje në Premier Ligë, ndërsa statistikat e tij në Champions janë si prej ëndrre, 41 rrjeta në 39 ndeshje.
Tekniku katalanas është i lumtur me këtë formë të norvegjezit.
“Nëse më thonë se në 100 ndeshjet e ardhshme, ai do të shënojë 99 gola, atëherë shumë mirë. Le të mos përmirësohet më shumë sesa është. Mjaftojnë 99 gola në 100 ndeshje. Gjithsesi, ai do të përmirësohet, sepse kjo është diçka natyrale, jo sepse ne tek Siti bëjmë diçka speciale”.
Tek Interi, Kristjan Asllani pritet të kthehet në stol pasi luajti titullar në Serinë A, në fundjavë, e po ashtu rinovoi kontratën. Në dyshim Dimarko, ndërsa trajneri Simone Inzagi thekson se Mançester Siti ka 6 vjet pa humbur në shtëpi në Champions. Rekordi i anglezëve është 28 fitore e 3 barazime.
“Nuk ka nevojë që ta them unë se çfarë është Mançester Siti. Një rival shumë I fortë, mjaft I organizuar. Nuk humbasim në shtëpi prej 6 vitesh, në mos gaboj, që nga viti 2018. Gjithsesi, ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Kemi pasur vetëm një ditë në dispozicion për këtë ndeshje. Na duhet një paraqitje gjigande, dhe djemtë e dinë këtë”.