Nuk e kanë provuar shpifjen në kurrizin e tyre…

OPINION


Nga Eduard Zaloshnja

Nuk kam pasur ndonjëherë arsimim apo përvojë juridike. Për këtë arsye, nuk mund të jap argumente juridike pro apo kundër paketës më të fundit ligjore anti-shpifje (siç kanë dhënë kolegë të mi në studio televizive apo faqe gazetash). Sidoqoftë, jam dikush që e kam provuar në kurriz shpifjen…


Edhe pse s’kam arsimim juridik, nga jetesa për pothuaj dy dekada në një vend ku liritë e individit janë shenjtëruar në kushtetutë qysh para 250 vjetësh (SHBA), kam mësuar se liria e çdo individi përfundon aty ku mund të dëmtojë pa të drejtë individë të tjerë.

Fjala vjen, liria e lëvizjes së lirë mund të të kufizohet, në qoftë se lëviz me një automjet me shpejtësi 200 km/orë (i cili mund t’u marrë jetën individëve të tjerë). Këtë kufizim lirie e ka provuar George W. Bush, kur i ati ishte drejtor i CIA-s…

Ose fjala vjen, liria e fjalës mund të të kufizohet, kur atë e shpërdoron. Këtë kufizim e ka provuar ish-portali i mirënjohur Gawker.com, i cili falimentoi kur u dënua me 140 milionë dollarë gjobë, për shkeljen e të drejtave individuale të Hulk Hogins, kampionit legjendar të mundjes profesioniste amerikane.

Le të kthehemi në Shqipëri.

Në këtë vend njihem kryesisht për sondazhet politike që zhvilloj e publikoj herë pas here (pak njerëz ndoshta më mbajnë mend për aktivizimin tim intensiv te PD-ja e muajve të parë të themelimit të saj, para se të shkoja për studime pasuniversitare në SHBA). Kur zhvilloj sondazhe, ndjek me fanatizëm parimin e radiologut – bëj radiografinë dhe i tregoj pacientit atë çfarë lexoj në filmin e radiografisë, pavarësisht se kush është pacienti.

Kam zhvilluar sondazhe private për shumë politikanë kryesorë shqiptarë (të djathtë, të majtë apo të qendrës). Kam zhvilluar edhe shumë sondazhe për media të ndryshme (së fundi për revistën Follow Business Albania). Si sondazhet private, edhe ato publike janë verifikuar herë pas here në zgjedhjet periodike (brenda marzhit të gabimit statistikor, janë përputhur me rezultatet faktike).

Me përkufizim, pothuaj në çdo sondazh politik, njëra palë rrudh buzët e tjetra buzëqesh. Si rrjedhim, kam marrë komente përgëzuese apo kritikuese (sipas rastit) nga të gjithë aktorët kryesorë politikë shqiptarë. Vetëm me Lulzim Bashën më ka ndodhur që, pasi kam marrë koment përgëzues për një sondazh, kam marrë shpifje për një sondazh tjetër (që s’i ka pëlqyer).

Konkretisht, pas një sondazhi rreth Teatrit Kombëtar, ku rezultonte se opinioni kryeqytetas ishte i ndarë 50%-50%, u sulmova nga gazeta e Lulzim Bashës (RD) me një shpifje, sipas së cilës unë kisha qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. (Për ironi, për të njëjtin sondazh, u sulmova edhe nga socialistët, por jo me shpifje). Dhe ironia e madhe ishte se RD-ja ka qenë gazeta ku kam botuar artikujt e mi të parë…

Por ironia fare më e madhe ishte se këtë shpifje RD-ja e bëri ndaj një njeriu që ka akumuluar në rrethin e ngushtë familjar plot 100 vite burgu e internimi politik.

Im atë, pasi ishte infektuar me Hepatitin B në burgun e Burrelit, vdiq vite më vonë në spital, duke i drejtuar gishtin si pistoletë fotografisë së Enver Hoxhës. Ime më, pasi vuajti në internimin e kampit të Krujës dhe në pritje të burrit të burgosur, bëri vite më vonë bakllava kur vdiq Enveri. Tezja ime, pasi nuk pranoi të spiunonte të afërmit, u torturua barbarisht (duke i thyer edhe hundën), dhe bëri 10 vjet burg politik. Një dajë i imi, pasi kishte mbaruar studimet në Universitetin e Peruxhias, pranoi të punonte në qendrën e llaçit në Berat, por jo të bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit. Daja tjetër u dënua me pushkatim në mungesë, pasi ishte arratisur në Amerikë. Kushërinjtë e kushërirat e para të babait e të nënës bënë dhjetëra vite burg e internim politik, dhe u liruan vetëm në vitin 1990…

Për shumë shqiptarë, akuza e të qenit ish-bashkëpunëtor i sigurimit mund të duket e lehtë (sepse shumë kanë qenë të tillë – madje disa kanë pretenduar edhe për poste shumë të larta shtetërore). Por për mua e familjen time kjo akuzë është shumë e rëndë. Prandaj dhe menjëherë bëra një kërkesë për marrje informacioni zyrtar nga komisioni që merret me hapjen e dosjeve.

U deshën disa muaj që ta merrja përgjigjen zyrtare nga komisioni (SHIHNI BASHKENGJITUR), ndërkohë që opinioni publik ishte helmuar me shpifjen e rëndë ndaj meje. E botova atëherë dokumentin që tregonte se as kisha bashkëpunuar me sigurimin, dhe as isha survejuar prej tij. Madje edhe Berisha më dërgoi SMS, ku më shkruante se kishin bërë gabim të madh ata të RD-së. Por ç’e do, dëmi ishte bërë ndërkohë…

Nuk e di se çfarë zgjidhjesh mund të na japin ekspertët juridikë, të të drejtave të njeriut, apo të komunikimit. Por si dikush që e ka provuar në kurriz shpifjen, u bëj thirrje të sugjerojnë zgjidhje që do t’ua zënë sa më shpejt grykën shpifëse, para se të helmojnë opinionin publik me të vjellat e tyre…

Shënim: Jo pak njerëz më kanë pyetur se si ka qenë e mundur që unë (me një biografi aq “të keqe” politike) të kem vazhduar studimet e larta para vitit 1990. Përgjigjja është e thjeshtë: Pa mbushur ende 18 vjeç, im atë i shpëtoi jetën moshatarit të tij Ramiz Alia, kur luftonin bashkë kundër fashizmit (pa u ndarë ende rrugët politike). Dekada më vonë, pasi Alia ishte bërë numri dy i vendit, ia shpërbleu nderin ish-shokut të tij të adoleshencës, duke i dhënë të birit (mua), me 3 vjet vonesë, të drejtën për studim…




Skip to toolbar