“Nuk lirojmë bashkitë”, PS në gjykatë që të “blindojë” rezultatin

Më të fundit


Kryetarët e rinj të bashkive që u certifikuan nga KQZ për zgjedhjet e 30 qershorit i janë drejtuar gjykatës për të njohur legjitimitetin dhe mandatin e tyre. Në kushtet kur opozita nuk i njeh zgjedhjet dhe kryebashkiakët e saj në largim nuk lirojnë karriget, duket se socialistët kanë bërë një hap për t’i paraprirë përplasjeve të mundshme pas 12 gushtit kur mbaron mandati i kryetarëve të bashkive.

Kryetarët e bashkive të sapozgjedhur dhe të certifikuar nga KQZ, i janë drejtuar gjykatës për njohjen e vendimit të KQZ, si hapin përfundimtar të certifikimit dhe legjitimit të tyre në krye të bashkive. I pari që ka dorëzuar këtë kërkesë është Erion Isai, i cili fitoi në Kolonjë. Kërkesës  së tij i janë bashkuar edhe kërkesat e disa kryebashkiakë të tjerët të PS-së, që janë certifikuar si fitues nga KQZ. Në kërkesën e paraqitur, kryetarët e ri të bashkive kërkojnë nga gjykata vërtetimin e mandatit si Kryetar Bashkie duke legjitimuar vendimin e KQZ që i ka shpallur fitues.


Nëse gjykata njeh fituesit e rinj vendimi i saj i formës së prerë është një urdhër ekzekutiv, që nëse refuzohet të zbatohet nga kryebashkiakët në largim, ndërhyn përmbarimi. Këtë mesazh e dha më herët edhe kryebashkiaku i ri i PS për Bashkinë e Shkodrës i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Valdrin Pjetri. Ai iu përgjigj Voltana Ademit, e cila tha se nuk heq dorë nga karrigia e saj dhe madje kërkoi edhe një komision ndërkombëtar për të drejtuar Shkodrën. Pjetri tha se dorëzimi i mandatit te pasardhësi i saj, e bën gjykata dhe përmbarimi.

Kryebashkiakët e opozitës ende në detyrë kanë deklaruar se nuk i lirojnë zyrat e tyre, pasi nuk i njohin votimet ilegjitime të 30 qershorit. Mandati i tyre përfundon më 12 gusht, ndërsa më 13 gusht drejtimi i bashkive merret nga drejtuesit e rinj të dalë nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Më herët, gjatë ditës së mërkurë, edhe PD u ka bërë thirrje gjykatave të respektojnë Kushtetutën dhe të mos i njohim vendimin e KQZ për dhënien e mandateve për kryetarëve të rinj duke e parë si mundësinë e fundit që zgjedhjet të shpallen të paligjshme.




Skip to toolbar