Protestat, Bushati: Nuk hakmarremi ndaj punonjësve

Më të fundit


Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka deklaruar se nuk do të ketë hakmarrje me punonjësit e administratës së Bashkisë së Shkodrës, të cilët dolën në protestat dhe u përplasen me policinë për të liruar KZAZ-të, apo ndaj atyre që gjuajtën me molotov.

“Nuk do të ketë asnjë hakmarrje në Shkodër. Dhe nga ana tjetër nuk ka nevojë të fillojmë procesin e vetëviktimizimit në Shkodër. E thashë, Shkodra ka nevojë për punë, ka nevojë për një kryetar të përkushtuar 24 orë, ka nevojë për një këshill bashkiak që miraton politikat më të mira publike për bashkinë. Ka një handikap që opozita nuk do të jetë as në këshillin bashkiak. E dini shumë mirë ju gazetarët e Shkodrës, e keni raportuar shpesh, bashkia mbyllej dhe një pjesë e institucioneve apo ndërmarrjeve të saj në varësi vinin në Tiranë për të bërë protestën, qoftë dhe gjatë ditëve të punës. Besoj që ne do të vendosim një standard të ri dhe në këtë drejtim. Nuk kemi asnjë plan e aq më tepër ambicie për të ndërtuar një bashki të karakterit politik që mund t’i shërbente vetëm një grupi njerëzish, sepse mendojmë që bashkia duhet që të jetë në qendër të vëmendjes për gjithë qytetarët e Shkodrës”, tha Bushati pas analizës së socialistëve për zgjedhjet lokale në këtë qark.


I pyetur për pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje në Shkodër dhe kandidatit pa rival, Bushati tha se kishte një qasje obstruksioniste, ku kujton sulmet me molotov ndaj KZAZ-ve, djegie të materialeve të kutive të votimit, mbylljen e një pjese të institucioneve publike që janë në varësi të bashkisë, dhe deri diku ishte i kuptueshëm përqindja e pjesëmarrjes në votime. “Kjo na bën dyfish më të kujdesshëm për të administruar bashkinë Shkodër në mënyrë dinjitoze dhe moderne për gjithë qytetarët e Shkodrës, qoftë për ata që kanë votuar e mbështetur Valdrinin, qoftë për ata që nuk e kanë besuar për asnjë ditë apo që kanë zgjedhur për të qëndruar në shtëpi dhe nuk kanë dalë në kutitë e votimit”, tha ai.




Skip to toolbar