Olsi Rama largon euforinë: Titullin e festojmë kur të sigurohet matematikisht

Më të fundit


Olsi Rama ishte i vetmi nga anëtarët e FSHF-së që foli sot pas punimeve të Asamblesë së Qeverisë Shqiptare të Futbollit. Numri dy i klubit të Partizanit u pyet nga gazetarët rreth titullit kampion, që tashmë duket se po rikthehet në shtëpinë e ‘kuqe’ pas 26 vitesh mungesë. Ai nuk nxitoi të shfaqte eufori për të festiar para kohe titullin, duke u shprehur se duhet konfirmuar zyrtarisht edhe nga matematika.

“Të mos flasim për të para kohe. Nuk është çështje tersi, por nuk urohet datëlindja përpara se të vijë dita e caktuar. Janë për t’u luajtur edhe shtatë javë të tjera kampionati. Pra, mbeten në lojë edhe 21 pikë. Më pëlqeu ajo që tha trajneri Gega.


Klubi kërkon rezultatin, unë kërkoj gjithmonë trepikëshin. Partizani duhet të japë maksimumin në çdo ndeshje dhe ta arrijë objektivin sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk ka festë për titullin, as mendojmë për të, pa u zyrtarizuar edhe matematikisht.

E veçanta e Partizanit të këtij sezoni? Besoj se është disiplina, respekti i ndërsjellë mes lojtarëve dhe stafit teknik, rregulli. Dëshira e djemve për fitore dhe sukses e bën këtë grup të mrekullueshëm dhe të fortë.

Si drejtor jam munduar të jem i kujdesshëm në çdo moment, ta mbaj ekipin sa më larg euforisë. Ky është një faktor që ndonjëherë edhe të ndihmon, por më së shumti të dëmton.

Batutat me Gjicin? Ai më tha se nuk ka përfunduar ende kampionati. Me humor i kujtova se duhet të ketë kujdes, të mbrojë vendin e dytë, se mos i rrezikohet edhe ai”.

Rama foli edhe në lidhje me pjesëmarrjen në Champions nga të tijtë, sezonin e ri: “Nuk kemi vendosur objektiva. Sigurisht që rritja cilësore e ekipit të bën ta ngresh stekën. Për ne e rëndësishme është të ruajmë këtë lloj integriteti dhe të përforcohemi me ndonjë element cilësor”.




Skip to toolbar