Operacioni “Flakë në Det”/ Dyshime se nga Laguna e Patokut u nisën mbi 1 ton kanabis

AKTUALITET


Zbardhen detaje të reja nga operacioni “Flakë në Det”. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për Klan News se nga Laguna e Patokut dyshohet të jetë nisur mbi 1 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.

Po ashtu në sallën e gjyqit për caktimin e masave të sigurimit për 6 të arrestuarit, prokurori i çëshjtes Vladimir Mara ka pretenduar se hashashi do të shkëmbehej më të njëjtën vlerë parash me heroinë dhe kokainë.

Hetuesit kanë dyshime se veliera e cila u dogj nga dy shtetasit ukrainas dhe u fundos në det, të jetë nisur nga Turqia, ka ndaluar në Greqi, Mal të Zi dhe më pas në ujërat neutrale mes Shqipërisë dhe Italisë do të bëhej shkëmbimi i drogës.

Katër shqiptarët e arrestuar dhe 2 ukrainasit nuk i kanë pranuar akuzat e Prokurorisë. Ata kanë mohuar që të kënë lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike. SPAK do kërkojë informacion në Turqi, Greqi dhe Mal të Zi për velierën me emrin “Nilua” në mënyrë që të zbulojë edhe personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë çështje. Gjatë operacionit, policia dhe SPAK sekuestruan dy pistoleta, fishekë, rreth 50 mijë Euro dhe 23 kg kanabis që u hodh në det nga të dyshuarit.



Skip to toolbar