Operacioni “Karantina”, Ardi Veliu: Shmangni grumbullimet

AKTUALITET


Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha në një lidhje në emisionin “Real Story”, në News24, se rrugët kryesore të Tiranës janë boshatisur, për shkak të mbyllje së lokaleve, por edhe se qytetarët po zbatojnë thirrjen për të qëndruar nëpër shtëpi.

Duke sqaruar edhe njëherë bllokimin total të transportit nga dita e nesërme, Veliu iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të shmangin grumbullimet, duke paralajmëruar se nëse ka njoftime për grumbullime, policia do të detyrohet të ndërhyjë.


Minxhozi: E keni sinjalizim se ka spostim popullsie për t’i ikur ndalimit të qarkullimit?

Veliu: Kemi bërë monitorim gjatë gjithë ditës, qoftë të mjeteve që dilnin nga Tirana, apo dhe të atyre që hynin, ka pasur një baraspeshë. Mungesa e mjeteve sa i përket rrugës “Myslim Shyri” i referohet mbylljes së lokaleve. Mbyllja e lokaleve ka sjellë atë vakuum të boshatisjes së këtij segmenti, që ne po e konstatojmë edhe në rrugë të tjera kryesore. Qytetarët po i binden thirrjes për të qëndruar nëpër shtëpi.

Fundjava e pazakontë për Tiranën dhe Durrësin, çfarë ndodh me trafikun e këmbësorëve?
Veliu: Nga nesër do të jetë totalisht i ndaluar qarkullimi i mjeteve, bëjnë përjashtim të gjitha mjetet e policisë, ushtrisë, zjarrfikëses, ambulancat, mjetet që transportojnë mallra për furnizimin e marketeve, furrave dhe shërbimin e qytetarëve, apo mjete që janë në funksion të dhënies ndihmë, edhe mjetet që kanë të bëjnë me transportin individual, sa i përket aktivitetit ditor, por të gjitha këto mjete duhet të konfirmohet tek adresa e emailit të policisë. Ndalimi total i transportit nuk do të jetë vetëm në Tiranë e Durrës, por edhe në Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë, të gjitha qytetet që janë duke u monitoruar.

Për këmbësorët gjej rastin t’iu bëj thirrje të qëndrojnë në shtëpi, të shmangin grumbullimet. Nëse do konstatohen grumbullime qytetarësh, ne kemi detyrimin t’i shpërndajmë dhe largojmë.




Skip to toolbar