Loja e ish-Gjykatës së Lartë për t’i shpëtuar vettingut, por mos të ikin nga drejtësia

#NËRADAR


Tre anëtarë të Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani, Evelina Qirjako dhe Aleksandër Muskaj, disa muaj më parë i shpëtuan vettingut, duke kërkuar që të mos jenë subjekt rivlerësimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, meqë atyre u kishte mbaruar mandati dhe nuk kishin pranuar të emëroheshin në funksione të tjera në Gjykatën e Apelit, ashtu siç e parashikon ligji kur përfundon mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë. Në këto kushte, KPK ka ndaluar procesin për verifikimin e tyre dhe në një nga pikat e vendimit ka vendosur “të deklarojë humbjen e së drejtës së këtij subjekti për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”. Por, tashmë të tre gjyqtarët kanë apeluar vendimin e KPK në Komisionin e Posaçëm të Apelimit, duke kërkuar pikërisht anulimin e kësaj pike, që do të thotë se nëse ata arrijnë ta rrëzojnë, ata i shmangen vettingut për një periudhë të caktuar kohe, por që nuk humbin të drejtën që për 15 vjet mos të emërohen në drejtësi.

Konkretisht, nga tre vendimet e KPK-së për tre ish-gjyqtarët Arjana Fullani, e cila është bashkëshortja e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, Evelina Qirjako dhe Aleksandër Muskaj, mësohet se është ndjekur e njëjta procedurë për ndërprerjen e vettingut për ta dhe që të lë të dyshosh se ka qenë e paramenduar, duke pasur parasysh faktin se të tre janë ankuar pranë KPA-së për të njëjtën pikë, pra kanë kërkuar ndërprerjen e kontrollit, por të qëndrojnë mbajnë titullin magjistrat, derisa të mendojnë vetë që të rikthehen në drejtësi, ndërkohë që gjatë kësaj kohe trajtohen edhe me pagë kalimtare.


Sipas të dhënave, të tre gjyqtarët kanë bërë ankim të pjesshëm në KPA të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vetëm për pikën 2 të tij që thotë: “Të deklarojë humbjen e së drejtës së këtij subjekti për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë Gjyqësor ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.

Mbrojtja me “gabimin” e Zaganjorit

Për këtë pikë, ata mbrohen me një veprim që sipas KPK është bërë nga ish-Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili edhe ai tashmë ka dalë jashtë sistemit të drejtësisë. Konkretisht, në vendimin për Arjana Fullanin, por i njëjta procedurë rezulton edhe te vendimet e dy ish-gjyqtarëve të tjerë të Gjykatës së Lartë, deklarohet që Gjykata e Lartë, më 29.06.2017, ka vendosur deklarimin e përfundimit të mandatit të gjyqtares të Gjykatës së Lartë, për Arjana Fullanin. Sipas ligjit, ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë duhet të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit, përveç rasteve kur jep dorëheqjen, shkarkohet, vërtetohen kushtet e pazgjidhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit dhe vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.

Nga ana tjetër rezulton se Arjana Fullani, në datën 31.07.2017, pra rreth një muaj pas përfundimit të afatit, ka njoftuar kryetarin e Gjykatës së Lartë për dorëzimin e detyrës së anëtarit të Gjykatës së Lartë për shkak të mbarimit të mandatit. Por KPK konstaton se nuk është shprehur me akt për vullnetin e saj për dorëheqje, sipas parashikimeve të pikës 5 të nenit 136, dhe nenit 139, të Kushtetutës. Një kusht i tillë ishte vendosur nga KPA për të faktuar shprehjen e vullnetit për dorëheqje, me qëllim që të ndalohet vettingu për të.

Këtu hyn në lojë Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili me gjithë mos depozitimin e aktit të duhur të dorëheqjes, sipas parashikimit ligjor, duket se ka interpretuar aktin e njoftimit për dorëzimin e detyrës si një “dorëheqje” të paraqitur nga Arjana Fullani, duke anashkaluar kërkesat e parashikuara në ligj. Komisioni vlerëson se Arjana Fullani duhet të qëndronte në detyrë deri në emërimin e pasardhësit. Në këto kushte, KLGJ i ka propozuar Fullanit një vend në Gjykatën e Apelit. Por ajo ka refuzuar të emërohet në Gjykatën e Apelit dhe në vitin 2018, ndërsa KPK po e verifikonte ka informuar Komisionin se nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për t’u emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit dhe se ka filluar ushtrimin e veprimtarisë private, në profesionin e avokatit. Në këto kushte, ajo ka vlerësuar se statusi i saj si gjyqtare i ka mbaruar për shkak të ligjit dhe ka pretenduar se nuk është subjekt i ligjit të Vettingut nr. 84/2016. Nisur nga këto fakte, Komisioni ka çmuar se Fullani, me refuzimin e të drejtës së saj për t’u caktuar në pozicionin e parë që publikohet i lirë, me shfaqjen e vullnetit të saj se heq dorë nga kjo e drejtë edhe në të ardhmen, që passjell dhe mbarimin e statusit të magjistratit, ka konsumuar në mënyrë indirekte aktin e dorëheqjes dhe se ky akt është paraqitur në një prej institucioneve të caktuara me ligj në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Si rrjedhim Komisioni çmon se vullneti i subjektit të rivlerësimit për të dhënë dorëheqje është i pavesuar.

I njëjti argument është përdorur nga KPK edhe për Qirjakon dhe Muskajn, duke vendosur ndërprerjen e vettingut për secilin prej tyre dhe humbjen e të drejtës së tyre për të qenë në sistemin e drejtësisë për 15 vite. Por, pikërisht pika e dytë është kundërshtuar në KPA, që tashmë pritet se çfarë vendimi do të marrë për ta dhe nëse rrëzohet kjo pikë, atëherë, të tre ish-gjyqtarët i shpëtojnë vettingut dhe mbajnë statusin e magjistratrit, derisa të kërkojnë që të rimarrin funksionin e gjyqtarit ose prokurorit, ku sërish do u duhet t’i rikthehen këtij procesi. /Realstory.al/




Skip to toolbar